
Kina ndihet e shqetësuar për rritjen e lidhjeve ushtarake mes Australisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm australian, Bob Carr, në një prononcim për gazetarët gjatë një vizite në Pekin. Autoritetet kineze i kishin thënë atij se, “koha për aleanca të Luftës së Ftohtë ka kaluar prej kohësh”.
Së fundmi Shtetet e Bashkuara kanë nisur një kontigjent trupash drejt bazave të tyre në Australi, lëvizje kjo e konsideruar për t’i bërë presion Kinës.
Ditën e hënë, zoti Carr takoi homologun e tij Yang Jiechi, ndërkohë që gjatë së martës do të takohet me zv.kryeministrin Li Keqiang për të diskutuar mbi marrëveshjen për tregtinë e lirë Australi-Kinë.
Kina është partneri tregtar më i madh i Australisë dhe pothuajse çereku i eksporteve australiane shkon në Kinë. Por aleatja kryesore e Australisë për sigurinë është Amerika.
Muajin e kaluar kontigjenti i parë me marinsa amerikanë u pozicionua në Darvin, ndërkohë që brenda vitit 2017 Uashingtoni do të vendosë 2500 trupa në veri të Australisë.
Kjo është vizita e parë e zotit Carr në Kinë si ministër i Jashtëm. Ai mori detyrën e kryediplomatit pas largimit të Kevin Rudd, dy muaj më parë.
Zoti Carr deklaroi se tre takimet e nivelit të lartë ditën e hënë, përfshirë atë me zotin Yang, janë dominuar nga pyetje mbi aleancën në rritje të Australisë me SHBA.
“Në çdo rast ata ngritën çështjen e lidhjeve në fushën e mbrojtjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Australisë”, shtoi shefi i diplomacisë australiane.
Top Channel