
Një person i dënuar për vrasjen e një shkencëtari bërthamor iranian në
Teheran dy vjet më parë është varur nga autoritetet e Republikës
Islamike. Lajmin e bëjnë të ditur mediat iraniane.
Majid Jamali Fashi, 24 vjeç, mori dënimin kapital për vrasjen e profesorit Massoud Ali Mohammady duke shpërthyer në distancë një bombë të vendosur jashtë shtëpisë së tij në janar të vitit 2010.
Fashi u akuzua gjithashtu se kishte qenë një spiun i shërbimit izraelit të inteligjencës, Mossad, dhe se ishte paguar 120 mijë dollarë për vrasjen. Nga ana tjetër, Izraeli nuk ka bërë asnjë koment për këto akuza.
“Majid Jamali Fashi, spiuni i Mossad-it dhe personi që vrau Masoud Ali Mohammadi, shkencëtarin tonë, u var mëngjesin e së martës”, raporton agjencia e lajmeve “Irna”.
Profesori i shkencave bërthamore punonte në Universitetin e Teheranit dhe është një nga disa shkencëtarët e së njëjtës degë që janë vrarë në vitet e fundit në Teheran.
Pas atentatit, Irani akuzoi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara se u përpoqën të dëmtonin programin e tij bërthamor.
Dy vendet besojnë se Irani po përpiqet të pajiset me teknologji për ndërtimin e armëve bërthamore, gjë që Teherani e mohon. Vendi islamik thotë se po pasuron uranium për qëllime paqësore.
Top Channel