Një i ri i vuri flakën vetes jashtë gjykatës në të cilën vrasësi serial, Anders Behring Breivik, është duke u gjykuar në Oslo.
Ngjarja ndodhi mesditën e ditës së martë, ndërsa gjatë seancës, një grup të plagosurish gjatë masakrës së Utojës, në korrik 2011, po dëshmonin përpara trupit gjykues.
Breivik ka pranuar përgjegjësinë për vrasjen e 77 të rinjve pothuajse një vit më parë, në një sulm me bombë në kryeqytet dhe me armë në një kamp rinor, por mohon përgjegjësinë kriminale për këto akte.
Sipas dëshmitarëve pamorë, i riu u afrua pranë gjykatës pasi ishte spërkatur me benzinë dhe i vuri flakën vetes pasi bërtiti për disa sekonda.
Megjithatë, është e paqartë se çfarë tha ai, përpara se të kryente aktin e dëshpëruar, pasi githçka ndodhi shumë shpejt.
Ndërhyrja e policisë bëri që flakët të shuheshin shpejt dhe i riu të dërgohej me urgjencë në spital, ku pavarësisht djegieve, u deklarua në gjendje të stabilizuar.
33-vjeçari Anders Behring Breivik, shëndeti mendor i të cilit është i debatueshëm, e ka konsideruar masakrën e tij si “të domosdoshme për fatet e Norvegjisë”. Një neonazist dhe kundërshtar i emigracionit, ai qëlloi kampin rinor të partisë kryesorë ne vend, e cila mbështet multikulturalizmin në vend.
Top Channel