Eurostat: Eurozona shmangu recesionin

15/05/2012 00:00

Eurozona me vështirësi ka shmangur kthimin në reçesion pasi regjistroi një rritje ekonomike të barabartë me zero në tre muajt e parë të vitit.

Kështu thonë shifrat zyrtare të publikuara nga Eurostat. Performanca, më e fortë nga sa ishte parashikuar, i takoi pjesërisht rritjes me 0.5 për qind të ekonomisë gjermane.

Në tremujorin e fundit të vitit 2011, eurozona u tkurr me 0.3 për qind dhe shumë analistë parashikonin tkurrje të mëtejshme, gjë që në një farë mënyre u shmang.

Ekonomia franceze regjistroi zero rritje në tremujorin e parë të vitit 2012, ndërsa ajo italiane u kontraktua me 0.8 për qind.

Ekonomia italiane ra me 0.7 për qind mes tetorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar dhe tani është kontraktuar për tre tremujorë rresht.

Vendi po lufton ndërkohë që qeveria po shkurton shpenzimet, po ngre taksat dhe po reformon pensionet, në përpjekje për të shkurtuar defiçitin buxhetor.

Shifrat e publikuara nga institucioni evropian i statistikave tregojnë se edhe ekonomia e Spanjës është tkurrur gjithashtu me 0.3 për qind në tremujorin e parë.

Ndërsa në një vlerësim të bërë më vete, Zyra kombëtare greke e statistikave deklaroi se ekonomia helene ishte kontraktuar me 6.2 për qind në të njëjtën periudhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA