Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore dështoi në limitet kohore për të gjetur një konsensus mes demokratëve dhe socialistëve.
Palët u dorëzuan në mbrëmje dhe thanë që tashmë arritja e konsensusit është në dorën e filtrave parlamentare deri në 24 maj, afat ky i vendosur nga BE për përmbylljen e reformës.
Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi deklaruan për gazetarët se ndahen për një sërë çështjesh, si ajo e ankimimit, administratës zgjedhore, etj. Puna e Komisionit përfundoi në mesnatë dhe sic deklaruan Gjinkuri e Bylykbashi nuk do të ketë një mandate të ri për të.
“Nuk është vetëm numërimi elektronik, sot u diskutua numërimi elektronik, identifikimi elektronik. Duhet të them që për numërimin elektronik nuk ka një opinion me shkrim nga ODIHR-i. Për identifikimin ne kishim reflektuar disa nga vërejtjet, në atë opinion nuk kemi rënë dakord për administratën zgjedhore dhe formulën e KQZ-së, që është një rekomandim kyç për reformën zgjedhore. Nuk kemi gjetur edhe konsensus lidhur me disa nene të caktuara në procesin ankimor. Këto janë kapituj shumë të rëndësishëm, pasi kanë qënë edhe palca e reformës zgjedhore”, tha deputeti socialist dhe bashkëkryetari i komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri.
“Palët ndahen nëse duhet të zbatohen pikë për pikë këto rekomandime të ODIHR apo nëse duhet një zbatim i pjesshëm. Propozimet tona i reflektojnë në çdo detaj këto rekomandime.Gjithashtu nuk arritëm të gjejmë një marrëveshje në lidhje me cështjet e tjera, me administratën dhe ankimimin, por mbeten hapësira që nëpërmjet filtrave parlamentarë ne të vazhdojmë të gjejmë konsensusin më tej për të implementuar konsensusin politik pastaj në draftet teknike për miratimin e tyre”, tha eksperti demokrat i komisonit për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi.
“Nganjëherë zgjidhjet jepen edhe në momentin e fundit unë them se politika shqiptare duhet të kuptojë se cfarë prioriteti ka. Mazhoranca i ka të gjitha mundësitë të reflektojë karshi një reforme shumë të rëndësishme aq më tepër që lidhet me fatet e të ardhmes së vendit në BE. Ne, të them të drejtën, kemi lëshur pe në pjesën më të madhe të tekstit. Jo se nuk ka vend për të diskutuar, madje i thamë edhe PD-së që të japë edhe ajo propozimin e saj për një formulë në lidhje me kompozimin e KQZ dhe fatkeqësisht nuk kemi dëgjuar asnjë propozim real. Madje refuzojnë të japin një propozim. Megjithatë unë shpresoj, nuk dua të bëj akuza para kohe, megjithëse koha është kritike dhe vullneti mund të ishte formësuar, prapë mendoj që karshi një thirrje të konsoliduar ndërkombëtare për gjetjen e një kompromisi unë them se PD e ka mundësinë që të vijë në tavolinë dhe të gjejmë një zgjidhje të përbashkët”, theksoi Gjiknuri.
“Ne deri në këtë pikë kemi bërë një punë e cila reflekton në një mënyrë maksimale rekomandimet e ODIHR-it. Shumica e tyre janë reflektuar, por janë disa elementë të rëndësishëm të cilët kërkojnë një konsensus politik. Nuk mund të vihet në diskutim arritja e konsensusit nëpërmjet vendosjes së kushteve e gjitha duhet të bazohet në konsensus të mirëfilltë i cili garanton gjithashtu një zbatim të kodit me vullnet të mirë politik në zgjedhjet e ardhshme. Për rrjedhojë ne do të eksplorojmë të gjitha mundësitë që parlamenti lejon për të arritur në konkluzionin e reformës zgjedhore me sukses”, shtoi Bylykbashi.
“Reformë në mënyrë pjesore që nuk adreson të gjitha problemet që kanë ngritur organizmat ndërkombëtarë apo problemet që hasen me zgjedhësin, unë mendoj se nuk është zgjidhja e duhur. Unë them që i kemi mundësitë, jemi të hapur të adresojmë të gjitha gjërat që na kanë mbetur: tekstet janë, draftet janë, ekspertët kanë punuar, komisioni e ka brumin e nevojshëm, mekanizmat paralmentare mund të vihen në funksionim nëpërmjet negociatave brenda këtij afati që unë thashë që të kemi një kod zgjedhor”, tha socialisti Gjiknuri.
“Konsensusi politik sigurish që mund të jetë shumë afër në momentin që palët do të kenë vullnetin e plotë për t’ju shmangur cdo lloj tentative për të arritur pikë politike ose pozicione force në negociata. Në momentin kur negociimi do të bazohet vetëm në një vullnet të pastër për të zbatuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it në atë moment unë jam i sigurt që kompromisi gjendet shumë shpejt”, mbylli Bylykbashi.
Top Channel