“Shqip”, kush do të jetë presidenti i ardhshëm?

14/05/2012 00:00

Java që lamë pas ishte një ndër javët e ngjeshura politike, me takime liderësh dhe ish-liderësh politikë të vendit, ku kryetema ishte presidenti i ardhshëm. Javën e kaluar ndodhi edhe takimi Rama-Meta, i stërkomentuar në media.

Këtë të hënë, në takimin me emisionin “Shqip”, kushtuar aktualitetit dhe javës së ngjeshur politike që lamë pas, publiku u njoh me mendimet e analistëve politikë më në zë në vend.

Në panel ishin të ftuar, Shpëtim Nazarko, Artur Zheji, Lutfi Dervishi dhe Mustafa Nano. Në fjalën e tij, zoti Nano, vlerësoi se situata aktuale politike është dramatike dhe për takimin Rama-Meta, tha se nuk ka asgjë për t’u alarmuar, përderisa shqiptarët nuk u alarmuan kur ndodhi pakti Meta-Berisha për bashkëqeverisje.

Artur Zheji, duke komentuar një shkrim të tij, paraqiti një panoramë të përgjithshme, se cfarë po ndodh me lëvizjet e fundit të politikës shqiptare: “Partia Demokratike është një parti solide që ka përfituar nga e majta e përcarë. Kjo krijon një qendër të fuqishme dhe segmente të së majtës së përcarë vërtiten rreth PD-së solide. Rama e Meta u ulën, shkëmbyen mendimet e tyre. Fakti që janë takuar rrëfen për një bilanc disavjecar të armiqësisë së tyre prej shumë kohësh. Kjo vë në alarm PD-në dhe grupet e interesave që vërtiten rreth këtij pushtetit. Ekuacioni që mbështetej mbi përcarjen relativizohet pasi nuk kemi më armiqësi po dialog. A do të shndërrohet në pakt politik, miqësi, a ka a s’ka? Mendoj që s’mund të gjykojmë moralin e politikës, është më e anatemuara në këtë rrafsh. Si lëvizje, takimi Meta-Rama ka historikun, mendoj që ke ç’të flasësh për të, ke edhe se ç’pret. Këto takime po ndodhin në sfondin e presidentit. Meta po i qendron koherent Kushtetutës së pandryshuar të 2008-s, që çonte vendin në zgjedhje nëse nuk gjehej presidenti konsensual”.

Ndërsa për analistin Lutfi Dervishi, takimi Meta-Rama është në kuadër të lëvizjeve pragmatike të kreut të PS-së në kuadër të zgjedhjeve të 2013-ës: “Opozita para se të jetë numra, duhet të jetë frymë. Zoti Rama ka vendosur që në 2013 t’i hyjë një rruge pragmatiste. Ky takim ka ciflosur termin rilindje të PS-së. Meta duhet gjykuar mbi bazë të interesit të tij. Zoti Meta kërkon që të maksimalizojë 4 votat që ka. LSI i ka dhënë legjitimitet kësaj qeverie që nga 2009, por mbetet në pikëpyetje se sa i ka dhënë qeverisjes. Në këtë kuptim ka një moment jetik përpara se si do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme. S’është hera e parë që distancohet nga PD, testi i kësaj është provuar me kandidatin për KLD, edhe aty Meta kërkoi maksimalizimin e votave të tij, por maksimalizojë votat e tjera, që ndjehen të kërcënuar nga Meta si Mediu, Idrizi dhe Islami. Besoj që ndjesia tek shtresa e njerëzve nuk është e njëjtë për takimin Meta-Rama. Ka njerëz që ngrënë pikëpyetje për takimin”.

Takimi mes Ramës dhe Metës në Gjirin e Lalzit ishte pjesë e një sondazhi të Respublica-s. Mustafa Nano zbuloi në studion e Shqip rezultatin e ketij sondazhi dhe ndarjet e elektoratit të majtë: “Lexuesit e Respublica janë të qendrës së majtë dhe rezulton që mbi 40 përqind e denoncojnë si lëvizje dhe 30 përqind e kuptojnë  atë si dhe një pjesë e vogël e përshëndesin si lëvizje”.

Analisti tjetër, Shpëtim Nazarko vlerësoi rolin e Metës, vecanërisht në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm: “Në tre lojtarë, Meta është më i qarti, më vigjilenti dhe kjo lidhet me zgjedhjet e 2013 se ku do të qendrojë, majtas apo djathtas. Nuk mund të flasim se cfarë ka ndodhur në Gjirin e Lalzit, por në një deklaratë e Metës, që tha se nuk ka për ta pranuar presidentin nga PD. Meta nuk pranon president nga PD, që do të thtoë se nëse kemi PS + LSI që nuk e pranojnë, flet për raportin 70-70. Meta do luajë fort gurin e tij, në momentin kur Berisha të vendosë të mos e pyesë atë e të shkojë për zgjedhjen me 71, si ajo e 2007-s, hesapet e Metës dhe Berishës janë më shumë të ndara se sa të përbashkëta. Meta ka një gur të fortë kundër Berishës, nëse LSI, bashkon votat në pushtetin lokal me PS, pushteti kalon majtas. Berisha ka problemin e pushtetit lokal dhe problemin që e tremb me aleancën e gjatë me Metën. Në sistemin zgjedhor të 2013, kuptohet që sipas sistemit zgjedhor do të marrë shumë vota. Berisha është në pozicionin më të keq dhe nuk do të tentojë të zgjedhë presidentin me 71. Në këtë këndvështrim duhet parë takimi Meta-Rama. Meta nuk mund të shkojë direkt te PS, sepse rrezikon të mos pranohet nga asnjëra palë.

Për Artur Zhejin, Partia Socialiste nuk vjen dot e vetme në pushtet në vitin 2013, ndaj kërkohet një bashkim i së majtës: “Analistët e numrave thonë se pa një aleancë me Metën, pa një aleancë të së majtës nuk ka mundësi fitoreje dhe Rama me përgjegjësi shkon bën takimet që ndjekin itinerarin e një fitoreje. Fitimtarët kanë gjithnjë moral. Unë nuk do doja të kemi një rënie të qeverisë me transfertë deputetësh. Kjo nuk më pëlqen. Lufta për presidentin është luftë për garancinë shumë të madhe, presidenti është garant i Kushtetutës, pikërisht për këtë Meta i thotë jo një kandidati nga PD”.

Ndërsa Nano shtoi se “në funksion të rrëzimit të regjimit të Berishës e kupton takimin Rama-Meta, porse në një plan afatgjatë, nuk frymëzohej nga një bashkëpunim i tillë”.

Lutfi Dervishi shtoi se Ramës i interesojnë votat që ka në parlament Meta dhe jo elektorati, pasi LSI, sic tha analisti Dervishi, ka rrjedhur shumë ujë që nga 2005.

Çfarë ndodhi me Fatos Nanon?

Për Shpëtim Nazarkon, kandidatura e Fatos Nanos për president nuk ishte e duhura: “Më ka habitur ky njeri që është marrë kaq vite me politikë. Më ka mahnitur tentativa për t’u bërë president. Nëse PS do t’i jepte 20 deputetë për ta kandiduar, do legjitimonte këtë proces, do i jepte të drejtë Berishës të zgjidhte Jozefinën, Boden apo këdo tjetër nga radhët e PD-së.

Por ndryshe logjikoi analisti Artur Zheji: Ka qenë një gabim që një figurë si Nano nuk u mbështet nga Partia Socialiste. Reklamimi pozitiv që i bëri Nanos ambasadori amerikan, Arvizu se është garanci shtesë për stabilitet në Shqipëri e bëjnë Nanon një kandidaturë më ambicioze më ideale se Fatos Nanos.

Mustafa Nano shtoi se ish-kryeministri i fundit socialist, ka marrë përgjigje negative nga Berisha, Rama dhe Meta për t’u kandiduar president. “Ka marrë përgjigje negative nga Rama, Berisha dhe nga Meta. Nano mund të jetë si zgjidhja e sekondës së fundit, por nuk shoh mundësi tjetër”.

Emri i presidentit të ardhshëm

Por cili do të jetë emri i presidentit të ardhshëm. Duke mos dashur të ndërtojnë një identikit të tij, por të dilej në emra konkretë, katër analistët e ftuar në panelin e Shqip, hodhën hipotezat:

Shpëtim Nazarko vlerësoi se në momentet historike, asnjëherë nuk kemi gjetur figurat e unitetit kombëtar dhe për të as ky rast nuk bën përjashtim. Sipas tij, ose do të arrihet në një president konsensual të pavlerë, ose presidenti do të zgjidhet nga Berisha me 71 vota.

Përsa i përket procesit të zgjedhjes së presidenti, analisti Artur Zheji tha se PS ka një disavantazh të madh, nuk ka emra konkretë, ndryshe nga Berisha, që sipas tij është strikt. “PS i duhet një pikë referimi”, tha Zheji.

Në media dhe opinionin publik, kanë nisur prej ditësh të qarkullojnë edhe disa emra, mes të cilëve edhe emra nga opinionistët dhe analistët politikë. Dy janë atë që qarkullojnë, Artur Zheji dhe Fatos Lubonja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA