Komisioni për reformën zgjedhore ka punuar pasditen e së hënës sikur mes dy palëve të mos kishte asnjë mosmarrëveshje.
Ata kanë mbyllur me konsensus të gjithë kapitujt e përpunuar deri tani, duke reflektuar edhe rekomandimet e ODIHR-it. Për kapitujt e rregjistrimit të kandidatëve në zgjedhje, për fushatën në media, kuotën gjinore të grave dhe financimin e partive ODIHR ka dhënë komente pozitive dhe të gjitha janë reflektuar me konsensus në komision.
Por komisioni ende nuk e ka mbyllur punën. Komisionit i skadon mandati mesnatën e së martës dhe 7 orë përpara skadimit komisioni do të mblidhet sërish. Ky do të jetë momenti vendimtar, nëse do të gjendet kompromis për cështjen më të nxehtë, formulën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Asnjëra nga palët nuk i ka humbur shpresat për një kompromis të minutës së fundit. Në fakt, janë vetëm pak nene për të cilat demokratët dhe socialistët duhet të bien dakord.
Përvec KQZ-së që është më e vështira, të martën pasdite palët shkojnë me një kompromis paraprak për kapitullin e ankimimeve dhe për reflektimin në Kod të rekomandimeve të ODIHR-it për numërimin elektronik.
Nëse kompromisi nuk arrihet, i mbetet parlamentit të vendosë të enjten, nëse do t’i japë komisionit një mandat të ri apo do të tentojë të miratojë vetëm kapitujt e kaluar me konsensus në komisionin e reformës zgjedhore.
Top Channel