
Në mbledhjen e grupit parlamentar, me praninë e gazetarëve, Berisha akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama për bllokimin e reformës zgjedhore.
Berisha tha se, me KQZ-në Rama po sillet njësoj si me Gjykatën Administrative, ndërkohë që shtoi se nga ana e tyre, demokratët do të zbatojnë të gjitha sugjerimet e ODHIR-it.
“Nxorri kryetarin e KQZ-së vetëm e vetëm që të mos thuhet nesër, se u kompletua reforma zgjedhore. Blloku është operativ në tërë praktikën e psikologjinë e vetë. Kjo është psikologjia e atyre që përdorin atë copë pushtet për të bllokuar vendin. E kemi hequr nga zemra e Tiranës është transferuar në selinë e PS”, deklaroi Berisha.
“Është absurde të dalësh sot dhe të bllokosh, në një moment kur nesër është mbledhja dhe duhet të përshëndesim finalizimin e reformës zgjedhore, për të cilën opozita propozoi të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHRIT dhe PD i pranoi”, vijoi kreu i qeverisë.
“Unë i them zotit Rama se ligjet janë çështje besimi, megjithatë, ne do vijojmë përpjekjet me frymë konstruktive”, shtoi Berisha gjatë fjalimit të tij.
Më tej, duke folur për çështje të tjera, Kryeministri pranoi se në vend ka papunësi, varfëri dhe mjerim, por tha se shifra e publikuar, për të cilën Rama thotë se i referohet edhe statistikave të Bankës Qendrore, është një mashtrim.
Berisha ndër të tjera vlerësoi se investimet në zonat rurale të Shqipërisë janë një hap madhor drejt zhvillimit, ndërsa theksoi se janë 22 mijë punëtorë të punësuar në projekte të ndryshme që janë në plan për ndërtimin. “Ndërtimi i hidrocentraleve mundëson punësimin e 15 mijë punëtorëve”, tha Berisha.
Ndërkohë, kreu i PS, Rama, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Twitter, tha: “Kryeministri thotë se kur kryefamiljari është i punësuar, e gjithë familja qenka e punësuar e bëka dhe biznes! Duket se flet veç për familjen e vet”.
Top Channel