Një ngjarje e rëndë tronditi rrethin e Lushnjes mbrëmjen e së shtunës, kur 32-vjeçari Erion Cjapi qëlloi për vdekje 27-vjeçaren Rajmonda Sota dhe të riun Marsel Cani, në fshatin Toshkëz.
Vrasja e dyfishtë ndodhi në lokalin e viktimës Cani, ku vrasësi hapi zjarr me breshëri me një armë automatike.
Pas kryerjes së krimit, për minuta me radhë Cjapi terrorizoi fshatin, duke qëlluar pa ndërprerje në ajër.
Viktima 27-vjeçare ishte nënë e dy fëmijëve, me të cilët jetonte e vetme në fshat, pasi bashkëshorti i saj punonte si emigrant në Itali.
Një e afërme me Sotën deklaroi se vrasësi e kërcënonte të renë prej disa ditësh, ndërsa sipas banorëve të zonës, ai kishte dhunuar edhe më parë anëtarë të së njëjtës familje.
Ndonëse arsyet e krimit nuk janë të njohura, besohet se vrasësi kishte një raport dashurie me 27-vjeçaren. Viktima e dytë, shtetasi Marsel Cani, besohet se u godit rastësisht në lokal nga breshëria e plumbave.
Në cilësinë e provave materiale, policia sekuestroi armën e krimit dhe mjetin motoçiklet me të cilën autori, i identifikuar nga dëshmitarë të shumtë pamorë, kishte ardhur deri në fshatin Toshkëz.
32-vjeçari është shpallur në kërkim nga policia e Lushnjes, e cila është duke punuar për kapjen e tij.
Top Channel