Udhëheqësi i ekstremit të majtë në Francë, Jean-Luc Melenchon, sfidoi rivalen e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, duke deklaruar se do të konkurrojë në të njëjtën zonë me të, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Franca aplikon një sistem në të cilin deputetët ballafaqohen midis tyre në zonat zgjedhore. Në një deklaratë, Melenchon deklaroi se do të përfaqësojë klasën punëtore në Henin-Beumont, praën Kalesë, ku Le Pen banon dhe konkurron.
Përfaqësuesja e ultranacionalistëve të Frontit Kombëtar, Le Pen, fitoi më shumë se 30% të votave të qytetit të saj në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, në të cilat Melenchon u rendit i katërti në Beumont dhe në total.
“Do të zhvendosem të konkurroj përballë Le Pen, pasi kjo betejë ka një rëndësi kombëtare dhe gjithashtu një rëndësi kontinentale, pasi të gjithë sytë e Europës janë drejtuar mbi ne”, deklaroi Melenchon, përpara mbështetësve të tij në qytetin verior.
“Në këtë betejë, janë dy vizione për zgjidhjen e krizës që do të përballen. A është problem tek emigrantët apo tek bankierët? Për ne, ai është tek bankierët”, deklaroi Melenchon.
Nga ana e saj, Le Pen refuzoi të përfshihej në debat, duke e cilësuar sfidantin e saj të ekstremit të djathtë një “fenomen dytësor”. Franca do të mbajë zgjedhjet parlamentare në dy raunde, në 10 dhe 17 qershor.
Top Channel