ODIHR rrëzon konsensusin PD-PS

12/05/2012 19:30

Numërimi elektronik i fletëvë të votimit në zgjedhjet e 2013-ës, e cilësuar si një marrëveshje e rëndësishme nga anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore duket se do mbetet veçse një marrëveshje në letër.

Është ODIHR që rihap debatin për Reformën Zgjedhore pasi ekspertët e kësaj organizate, nëpërmjet komenteve të tyre e rrëzojnë përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, që lidhet me numërimin elektronik dhe vendosjen në qendrën e votimit të lexuesve të kartave të identitetit.

Nga një dokument dërguar Komisionit të Reformës Zgjedhore nga ekspertët e ODIHR-it,  propozimi i PS për përdorimin e teknologjive, për të cilin PD dha konsensus rreth dy javë më parë në Komision, refuzohet nga ODIHR si i nxituar, i pasigurtë dhe i paqendrushëm. Si i tillë ai konsiderohet si proces i parealizueshëm për zgjedhjet 2013-ës.

ODIHR rekomandon të paktën 3 vjet kohë përgatitore për futjen e teknologjive në zgjedhje. Gjithashtu rekomandon përdorimin e tyre vetëm nëpërmjet projekteve pilotë në shkallë të ulët dhe në mënyrë graduale.

Sipas ODIHR, kuadri ligjor duhet të jetë i detajuar, i saktë dhe garant ndaj abuzimeve dhe mbrotjtjes së të dhënave personale. Komisionit të Reformës Zgjedhore, pas këtyre rekomandimeve, i mbetet fare pak kohë për të korrigjuar konsensusin, vetëm 3 ditë.

Numërimi elektronik u reklamua si risia më e madhe e Reformës Zgjedhore. Tani me shumë gjasa mund të kthehet në pengesën e madhe të reformës zgjedhore. Në ditët e mbetura, votimi dhe numërimi, dy kapitujt më voluminozë dhe më të rëndësishëm, pritet të rikthehen si prioritet kryesor në axhendën e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA