Mosbesimi si sëmundje pa shërim

12/05/2012 00:00

FATOS BAXHAKU – Pat shkruar një herë Suzan Zontag, filozofe e shquar
amerikano-hebreje e shekullit të shkuar: “Sëmundja është ana e errët e
jetës, qytetaria më e rëndë e saj. Të gjithë ata që kanë lindur kanë
qytetari të dyfishtë; atë të mbretërisë së të shëndoshëve dhe atë të
mbretërisë së të sëmurëve. Sido që ne të gjithë parapëlqejmë të përdorim
vetëm pasaportën e mirë, herët a vonë secili prej nesh është i
detyruar, të paktën për një farë kohe, të quhet qytetar i asaj
mbretërie”.

Sëmundja është pjesa jonë e refuzuar, pjesa që na bën të vuajmë, të kemi turp a ndot për veten, është ajo pjesë e së përditshmes tonë për të cilën ne nuk dëshirojmë aspak të flasim, ndonëse e dimë fare mirë se ajo është gjithnjë aty, gjithnjë e gatshme të sulmojë dhe të na rrënojë jetën. Duke qenë se edhe për njerëzit e shëndoshë ajo është po aq e rrezikshme sa edhe për të sëmurët vetë, sëmundja është bërë shkas historikisht për lindjen e një lloj mitologjie të mbushur plot e përplot me përfytyrime e metafora që i kanë dhënë pamjen e vërtetë secilës prej shoqërive në shekuj të caktuar. Këto mitologji të sëmundjes kanë përcaktuar shumë herë edhe artet, estetikën, madje në shumë raste dhe vetë fjalorin e politikës.

Në shekullin e XIX dhe në fillim të shekullit XX sëmundja më e përhapur vdekjeprurëse ishte tuberkulozi. Sa kohë që ai nuk ishte diagnostikuar si një infeksion, qëndrimi i njerëzve ndaj tij ishte fatalist. Duke trashëguar qëndrimin antik dhe duke qenë të pafuqishëm nga shkalla e dijeve të tyre njerëzit e shekullit XIX e konsideronin tuberkulozin si një mallkim që i jepej dikujt nga Zoti. Shpjegimi i tipit “ky njeri çoç ka katranosur prandaj dhe është sëmurë”, ishte krejt i zakonshëm.

Tuberkulozi nuk njihte dallime. Ai infektonte njësoj proletarë a borgjezë, të kamur a të varfër, revolucionarë apo fshatarë të paqtë. Ndërsa njerëzit e thjeshtë shuheshin pak nga pak mes lebetisë së familjarëve të tyre, njerëzit e artit dhe kulturës e panë gjithë këtë situatë vdekjeprurëse si një burim metaforash. Të ishe i sëmurë me tuberkuloz për ta ishte shenjë zgjuarsie, delikatese e ndjenjash të holla, pasioni. (Kujtoni Malin Magjik të Tomas Mann). Madje, për shumëkënd ishte shndërruar në bindje se tuberkulozi rriste jo vetëm dëshirën pasionante, por edhe atë seksuale. Pak nga pak lindi edhe një lloj tjetër elegance. Ndërsa në shekullin XVIII një femër ideale ishte një alamet buçko, një femër e kolme me gjokse të rrumbullakosura, femra e shekullit XIX nisi të jetë gjithnjë e më e hollë e elegante. Aristokratet franceze të sëmura me tuberkuloz, të tretura nga sëmundja, gati-gati shiheshin me zili nga shoqet e tyre ende të shëndosha. Në një masë të madhe shijet e sotme mbi femrën elegante i dedikohen një sëmundjeje: tuberkulozit. Por kjo nuk ndodhte vetëm me femrat. Të ishe gjithnjë i trishtë, me sytë e futur thellë ndër zgavra, krejt i shpenguar, sepse tashmë nuk kishe asgjë se çfarë të humbisje, me ecje të ngadaltë e shikim të përhumbur. Kjo lloj figure u shndërrua nga një mashkull i sëmurë rëndë në një simbol të intelektualizmit. Kujtoni vetëm dy portrete të njohura atë të Franc Kafkës dhe atë të Migjenit tonë. Të dy ishin me tuberkuloz.

Të qenët sëmurë me tuberkuloz i dha udhë edhe një prirjeje tjetër intelektuale, atë të braktisjes së zhurmës së qyteteve dhe turmave të njerëzve për të qenë vetëm me veten dhe me artin tënd. Me mijëra intelektualë të asaj kohe i mbyllën ditët e tyre të fundit ndër maja malesh apo ndër ishuj të veçuar. Asokohe u krijuan me qindra kryevepra.

Kanceri është një ndër sëmundjet simbol të shekullit të shkuar. Ndryshe nga tuberkulozi që ishte një sëmundje romantike, kanceri është sëmundja vrastare e një bote të thjeshtëzuar, të krijuar vetëm nga numrat, zerot dhe njëshat që ndërrohen në kompjuter, e jetës frenetike dhe individualiste. Shumë studime shkencore saktësojnë se veç abuzimeve me disa gjëra që fusim në trupin tonë, kanceri shkaktohet nga ndjenjat e lënduara keqas, nga zhgënjimet e forta. Tekefundit ajo është edhe shprehje e një individi që e ndien veten të izoluar. Në terminologjinë e kancerit çdo gjë është luftarake: qelizat e këqija sulmojnë dhe pushtojnë ato të mira, kimioterapia është një kundërsulm kimik, kanceri ka sulmuar keq mëlçinë, qelizat e këqija duhen bombarduar. Ndryshe nga një shekull më parë kanceri më shumë sesa në letërsi ka ndikuar në fjalorin politik. Për Trockin stalinizmi ishte një kancer për marksizmin, në SHBA skandali Uotergejt i kohës së Nikosnit ishte një “kancer në gjirin e Presidencës”, për botën arabe Izraeli vazhdon të jetë një “kancer i vërtetë”, për Xhorxh W. Bush Al-Kaeda është një kancer më shumë se kanceri. Me një fjalë metafora e krijuar mbi kancerin në botën përtej sëmundjes dhe mjekësisë është një lloj figure më shumë se artistike, politiko-ushtarake.

Listës së sëmundjeve simbol të qytetërimit ka kohë që i është shtuar edhe SIDA. Edhe ajo ka krijuar metaforat e saj. SIDA është një sëmundje e atyre që jetojnë ndryshe, e të pashpresëve, e të pastrehëve, e të zhgënjyerve, e të droguarve. Shumë herë produkt i “revolucionit seksual” që erdhi pas 1968-s, ajo është pagesa që ka një mënyrë jetese e veçantë, që është antikonformiste, përbuzëse ndaj disa rregullave që ka përcaktuar shoqëria e ashtuquajtur normale, nihiliste ndaj vlerave që janë përcaktuar me kohë si tradicionale. Është një lloj sëmundjeje që shoqëron protestuesit e heshtur, atyre që nuk u bëhet edhe aq vonë për këtë jetë, përderisa kanë kohë që nuk janë dakord me të.

Për rastin e Shqipërisë tonë mund të shkruanim fare mirë sot se sëmundja jonë simbol e kohëve të zhurmshme e të vrullshme që po kalojmë mund të konsiderohet fare mirë depresioni. Shembulli më i mirë për të bazuar këtë mendim është shtimi i numrit të vetëvrasjeve apo i tentativave për t’i dhënë fund jetës në mënyrë të dëshpëruar. Porse meqë jemi në lëmë të sëmundjeve si metaforë le të mundohemi të bëjmë një supozim tjetër. Sëmundjet në vetvete, si problem organik, shkaqet dhe numrin e tyre te ne, le t’ua lëmë më mirë mjekëve dhe statisticienëve. Këtë herë le të mundohemi të gjejmë se cila do të ishte metafora më e përafërt, ajo që do të mund të shpjegonte më mirë sëmundjen tonë të shekullit, atë që e mbartim të gjithë pa dallim, si ata të “mbretërisë së të shëndoshëve” ashtu edhe ata të “mbretërisë së të sëmurëve”.

Një gjë e vetme po na gërryen të gjithëve pak nga pak, mosbesimi. Njësoj si dikur tuberkulozi dhe tani kanceri e SIDA, ne jemi dorëzuar para saj. Ne nuk e dimë, dhe as që bëjmë përpjekje për të kuptuar se si lind mosbesimi mes nesh. Ndër familje vëllai nuk ka besim te vëllai, sepse dyshon mos ia ka me të hedhur për punë prone. Në shkollë nxënësi nuk ka besim të mësuesi, sepse ndonjëherë e ka parë duke bërë allishverishe e madje edhe thotë marrëzira që se ku i ka lexuar. Ndër universitete studentët nuk kanë më besim në të studiuarit. Përse të studiosh e të lodhesh kur të tjerë e kanë blerë diplomën me para dhe tani kapardisen zyrave të shtetit? Të rinjtë nuk kanë më besim tek e ardhmja. Thjesht sorollaten rrugëve duke përtypur fara luledielli. Në rastin më të mirë ndonjë prej tyre ndonëse i diplomuar, do të mund të zërë ndonjë punë si kamerier. Shumë e shumë të tjerë nuk kanë më besim te puna. Përse të punosh? Kush ka punuar shumë nuk është se ka jetuar më mirë, përkundrazi. Atëherë? Atëherë o burra të vëmë baste sportive me shpresën e marrë se do të vijë dita që do të bëhemi të pasur falë këmbëve të të tjerëve. Në politikë palët nuk kanë fijen më të vogël të besimit. Në kampin e djathtë aleatët e shohin njëri-tjetrin me mosbesim, në pritje të lëvizjes së radhës që do të bëjë tjetri. Në kampin e majtë të mëdhenj e të vegjël e shohin njëri-tjetrin me cep të syrit. Të gjitha palët ruhen se mos ndokush “ua fut”. A nuk është reforma zgjedhore pikërisht akti më i madh, i dokumentuar, i plotë, juridik i mosbesimit?

Të gjithë jemi gëzuar këto ditë për një gjë krejt të thjeshtë. Jemi gëzuar – vini re mirë – vetëm sepse më në fund të mëdhenjtë e politikës vendosën të flasin me njëri-tjetrin për punë të presidentit. Çfarë lehtësimi! Çfarë hareje e pamasë. Më në fund ata u përshëndoshën madje edhe shtrënguan dorën me njëri-tjetrin! Një lloj ilaçi lehtësues për dhimbjet që na ka shkaktuar sëmundja jonë me emrin mosbesim. Vetëm se, nëse do të kishin marrë realisht mbi supe rolin e të qenët “mjekë” të shoqërisë, duhet të ishin kujtuar me kohë, këtu e 20 vjet më parë. Ata e dinëfortmirëse është më lehtë të parandalosh një sëmundje sesa ta shërosh atë, sepse shpesh ndodh që ajo të të mbërthejë aq fort saqë gjendja të bëhet e pashpresë. Ndodh që kur kujtohesh me shumë vonesë nuk të bëjnë më derman as të gjitha mjekimet e kësaj bote.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA