Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi ditën e premte ligjin “për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
Ligji për ngritjen e gjykatave administrative u miratua me votat e mazhorancës dhe opozitës në Kuvend në datën 3 maj, pas një procesi të gjatë konsultimesh e propozimesh nga grupet e interesit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.
Gjykata Administrative është konceptuar në tre nivele, në shkallë të parë, apel dhe në Gjykatë të Lartë. Në shkallë të parë është konceptuar në 6 gjykata rrethesh, me një apel dhe një Kolegj Administrativ të vecantë në Gjykatën e Lartë, që të gjitha në funksion të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve administrative, vecanërisht atyre që lidhen mes biznesit dhe shtetit.
Presidenti dekretoi gjithashtu edhe ligjin “për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën Hetimore Speciale të EULEX-it”, ligj ky i kundërshtuar nga qarqet e jurisprudencës, që e cilësojnë atë në kundërshtim me Kushtetutën, pasi i jep të drejtën një organi hetimor të huaj të kryejë arrestime në territorin e Republikës së Shqipërisë pa miratimin dhe prezencën e autoriteteve vendase.
Po të premten, Presidenti Topi dekretoi edhe shndërrimin në ligj të një akti normative të Këshillit të Ministrave datë 30 mars 2012, që kishte të bënte me legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor të ndryshuar.
Top Channel