ANDREA STEFANI – Të gjithë thërrasin se President duhet të bëhet një
figurë e gjithëpranuar. Dhe argumenti që japin për këtë, shqiptarë apo
ndërkombëtarë qofshin, është se Presidenti përfaqëson unitetin e
popullit.
Por ndërsa thonë një gjë të tillë harrojnë të mendohen pak më thellë dhe të shtrojnë pyetjen: A ekziston vërtet mes shqiptarëve i shumëpërfoluri, por edhe i pakuptuari i “unitetit i popullit”? Na duket se pikërisht mungesa e një uniteti të tillë është shkaku kryesor i vështirësisë së gjetjes së një zgjidhjeje të duhur për çështjen e Presidentit.
***
Operimi me klishera, si kjo e “unitetit të popullit” të trashëguar nga propaganda moniste, është tipari më i përhapur jo vetëm i zhargonit politik të majtë e të djathtë, por edhe i atij diplomatik të disa ndërkombëtarëve. Është një dukuri që përpiqet të fshehë, por njëherazi edhe e denoncon, mungesën e arsyetimit që mundëson kuptimin e realitetit politik. Që Presidenti ta përfaqësojë unitetin duhet që më parë ky unitet të ekzistojë. Dhe në kuptimin politik, uniteti nuk buron automatikisht nga fakti që shqiptarët janë shqiptarë. Në kuptimin politik, uniteti ka të bëjë me dakordësinë e shqiptarëve për sistemin politik të bashkëqeverisjes apo të vetëqeverisjes së tyre. Po të shikosh Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të rezulton se shqiptarët kanë rënë dakord, ndër të tjera, që “sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin e pushteteve ligjvënëse, ekzekutive dhe gjyqësore”. Por ndërsa ndjek dinamikën e politikës në këta 20 vjet, shikon se uniteti i popullit në faqet e Kushtetutës nuk reflektohet thuajse fare as në rezultatet e votimit dhe as në pozicionimet e partive politike apo udhëheqjeve të tyre. Masa të tëra shqiptarësh kanë vazhduar të votojnë tradicionalisht një forcë politike edhe pse kjo dhe lidershipi i saj, ka manifestuar praktikisht ambicien që sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë të mos bazohet në ndarjen dhe balancimin e pushteteve ashtu sikundër është shkruar në Kushtetutë. Ndonëse një ambicie e tillë nuk ka lënë pa prekur partitë e tjera, ajo ka qenë më e pranishme dhe më agresivisht e aplikuar, gjatë qeverisjeve të Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Sali Berisha. Praktikisht shqiptarët nuk janë në unitet për sa i takon natyrës së sistemit politik edhe pse të gjithë ata, si dhe liderët politikë që duartrokasin dhe votojnë, flasin ditën dhe natën për integrimin e Shqipërisë në Europë. Një fakt tjetër që ilustron ndarjen e sloganeve politike nga praktika politike, fjalën nga vepra. Kjo çarje në preferencat për sistemin politik manifestohet edhe në rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Integrimi në Europë kërkon që President të zgjidhet një person që i ka shanset t’i shërbejë ndërtimit të një sistemi ku pushteti legjislativ dhe ai gjyqësor janë të ndara nga pushteti ekzekutiv. Dhe kjo gjë, që është sanksionuar dhe në Kushtetutë, nuk mund të ndodhë kurrë nëse në postin e Presidentit zgjidhet një kandidaturë e shumicës qeverisëse. Aq më pak mund të shpresohet një gjë e tillë nëse kjo kandidaturë zgjidhet me 71 votat e qeverisë edhe pse deformimet e Kushtetutës në 21 prill, e bëjnë një akt të tillë të duket si kushtetues. E ndërsa shpall se ka qëllim kryesor integrimin europian, Kryeministri Berisha dhe PD këmbëngulin që Presidenti të dalë nga një kandidaturë e tyre. Vetëm dje, Astrit Patozi, figura e dytë e mazhorancës, këmbënguli se “logjika politike të çon në atë që lokomotiva e tranzicionit, që në rastin tonë jemi ne, i bie të bëjë edhe zgjedhjen e një institucioni të rëndësishëm që është Presidenti i Republikës”. Në këtë frazë, ku nuk mungon as figuracioni i lokomotivës të stërlodhur nga propaganda bolshevike, shprehet gjithë mendësia moniste e berishizmit sipas të cilës, pushtetet duhet të përqendrohen në një dorë, në një parti, në një lider.
***
Kundër këtij pozicioni autokratik është rreshtuar opozita politike që këmbëngul se Presidenti i ardhshëm nuk duhet të jetë një kandidaturë e Partisë Demokratike. Një kërkesë e drejtë kur dihet se figura si p.sh. Jozefina Topalli, të paafta të lartësohen as deri në pozicionin e paanshëm të spikerit të Kuvendit, s’mund të shpresohet se do të kishin aftësi të sublimoheshin për të arritur atë neutralitet kushtetues dhe mbipartiak që kërkon posti i Presidentit të Republikës. Ndërkaq, zgjedhja President e një kandidature të opozitës, ndërsa do t’i vinte kufi ambicies së Berishës për të kapur të gjitha pushtetet, mund të shfaqte të njëjtën problematikë për sa i përket ndarjes së pushteteve nëse do të kemi rotacion në vitin 2013. Prandaj kërkesës së drejtë të opozitës se Presidenti nuk duhet të jetë njeri i qeverisë, i duhet shtuar edhe se ai nuk duhet të jetë as njeri i opozitës. Vetëm një kandidaturë e një personi që nuk i përket asnjë partie, do të shtonte shanse që Shqipëria të ketë një President që duke qenë i askujt, do të mund të ishte Presidenti i të gjithëve. Vështirë se ka ndonjë figurë partiake që mund të plotësojë kriterin për të qenë “i askujt”. Veç jashtë partive, jashtë komunitetit të politikanëve, mund të gjenden jo pak. Një i tillë mund të ishte publicisti Daut Gumeni. Një i përndjekur politik që ka vuajtur burgjet komuniste, por edhe që ka demonstruar pjekuri, integritet dhe ndershmëri dhe përkushtim ndaj idealeve demokratiko-liberale gjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Por shihet qartë se klasa politike kërkon ta kllaposë listën e kandidaturave brenda saj ndërsa riciklon lloj-lloj mbeturinash politike, duke e argumentuar këtë kufizim me gjoja nevojën e “përvojës” politike. Në fakt, një përvojë aspak e admirueshme që i ka ardhur në majë të hundës jo pak shqiptarëve. Gjithsesi, mungesa e konsensusit për Presidentin, është tregues i mungesës së unitetit të shqiptarëve dhe politikanëve të tyre për sa i takon sistemit. Në momentin që ndodhemi, pozita tenton bashkimin e pushteteve, opozita ndarjen e tyre. Dhe është e vështirë që Berisha me oreksin e tij për të kapur gjithë pushtetet, të lërë t’i ikë nga dora rasti për të zgjedhur President një delfin të tijin vetëm me 71 vota. Një katastrofë për demokracinë dhe integrimin që mund të shmanget vetëm me ndërhyrjen e fuqishme të ndërkombëtarëve për një kandidaturë që shkon në favor të ndarjes së pushteteve. Vetëm atëherë politikanët shqiptarë do të mund të zgjedhin me “konsensus” dhe, sikundër sugjeroi dhe ambasadori i SHBA, Arvizu, qysh në raundin e parë, një President. Një President që duke qenë i askujt do të mund të jetë i të gjithëve, një President që duke i shërbyer ndarjes së pushteteve, do të kontribuonte në bashkimin e shqiptarëve.
Top Channel