Merkel: Masat shtrënguese, rruga e vetme

11/05/2012 02:00

Pavarësisht sinjaleve për lëshime nga Kryetari i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, kancelarja gjermane Angela Merkel edhe një herë e përvijoi qartë qëndrimin e saj se reformat strukturore që mbështesin masat shtrënguese janë e vetmja rrugë për Europën që t’i mbijetojë krizës aktuale të borxheve.

Komentet e Merkel vijnë vetëm disa ditë pasi votuesit në Francë e Greqi u shprehën kundër shkurtimeve buxhetore dhe Barroso pohoi se mund të punohet për një kombinim të masave anti-krizë me politikat e rritjes ekonomike. Kancelarja vazhdon t’i mëshojë idesë se vendet përdoruese të euros nuk duhet të tërhiqen ose të braktisin masat shtrënguese në këtë moment.
             
“Të rrisësh borxhin për të siguruar rritje ekonomike mund të cojë në një rikthim të ekonomisë në fazën fillestare të krizës. E vetmja gjë e palëkundshme në këtë mes është të pranohet se kapërcimi i krizës do të jetë një proces i gjatë e i vështirë, i cili do të mund të përmbyllet me sukses vetëm nëse luftojmë shkaqet e kësaj krize”, tha Merkel.

Nuk ekziston një kurë magjike sipas Merkel, por zvogëlimi i borxhit dhe nxitja e rritjes duhen parë si dy shtyllat që do të nxjerrin Bashkimin Europian nga ngërci ku është përfshirë.

Duke patur parasysh Greqinë që përballet me krizën financiare, Bashkimi  Europian vendosi të mërkurën t’i jepte këtij vendi një hua prej 6.6 miliard dollarësh, ku 5.5 miliard do të jepen brenda kësaj jave ndërsa pjesa tjetër së afërmi. Falimentimi i Greqisë, sipas ekspertëve, do të conte në rënien e tregjeve.  

Po ashtu ky rast shërben si shembull se çfarë ndodh kur negociatat dështojnë dhe kur, si në rastin e Greqisë, rezultati i masave shtrënguese merrej si i garantuar.  

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA