“Pronat” kalojnë me votat e mazhorancës

10/05/2012 00:00

Kuvendi ka miratuar me 73 vota pro projektligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Nderkohe drafti ka shkaktuar debate në seancën parlamentare të së enjtes.

Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, njëkohësisht edhe kryetar i PR-së, forcë politike që mbështet kthimin dhe kompensimin e plotë të pronave ish-pronarëve, theksoi e drejta e pronës për vite me radhë është trajtuar ndesh me interesin e pronarëve të ligjshëm.

Ai ka shtuar se ka nevojë për një debat të gjerë të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit për të parë a është e mjaftueshme infrastruktura, personeli e kualifikimi i atyre që do të merren me këtë çështje.

Ndërsa deputeti i PS-së Erjon Braçe ka theksuar se ligji për kthimin dhe kompensimin e pronës është ligji që ka ndryshuar më shumë brenda një mandati qeverisës.

“Është e pamundur për të gjetur një ligj tjetër që të ketë ndryshuar më shumë brenda një mandati qeverisës dhe sa paradoksi është i jashtëzakonshëm. Afati i ri që vendoset për një dosje shkon deri në vitin 2014 dhe që nga viti 1990 deri më 2014 unë numëroj 24 vjet për të shqyrtuar një çështje pronësie dhe për të shqyrtuar një dosje”, theksoi Braçe.

Top Channel