Ukrainë, Tymoshenko shtrohet në spital

09/05/2012 09:25

Yulia Tymoshenko, liderja opozitare ukrainase që po vuan dënimin e saj me burg, është shtruar në spitalin e Kharkivit ku do të trajtohet për dhimbjen e shpinës nga një mjek gjerman.

Shumë mbështetës të saj ishin mbledhur para spitalit duke thërritur: Lironi Yulian!

Sipas BBC, ish-kryeministrja është shoqëruar në spital nga shumë policë. Tymoshenko sapo ka dalë nga një grevë urie 19-ditore në shenjë proteste ndaj keqtrajtimit që i kanë bërë rojet e burgut.

Këta të fundit hodhën poshtë çdo akuzë. Përkrahësit e saj publikuan disa foto të udhëheqëses së opozitës ukrainase me njolla në trup. Jevgenia tha se e ëma ka humbur 10 kilogramë gjatë këtyre ditëve.

Yulia Tymoshenko u dënua me shtatë vjet burg në tetor e akuzuar për abuzim detyre, gjatë kohës kur ishte kryeministre e Ukrainës. Si bashkimi Europian ashtu dhe Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar gjyqin kundër saj si të motivuar politikisht duke kërkuar lirimin e saj të shpejtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA