Siri, atentat autokolonës së OKB-së

09/05/2012 00:00

Një shpërthim ka goditur një kamion ushtarak sirian që shoqëronte një autokolonë të vëzhguesve të OKB-së në afërsi të qytetit të Derasë, dy ditë pasi vëzhguesit mbërritën në vend.

Shefi i grupit të OKB-së, gjeneral-major Robert Mood ndodhej në autokolonë, por as ai e as anëtarë të tjerë të stafit nuk mbetën të lënduar nga shpërthimi. Ndërsa dritaret e automjeteve u thyen.

Vëzhguesit ndodhen në siri në kuadër të planit të përbashkët të paqes OKB-Liga Arabe dhe filluan të vendosen muajin e kaluar.

Në Siri ndodhen rreth 70 vëzhgues, por prania e tyre nuk ka asnjë ndikim tek frenimi i dhunës. Dera ishte qyteti ku filluan protestat kundër qeverisë së presidentit Bashar al Assad në mars të vitit 2011.

Një gazetar i Associated Press që po udhëtonte me autokolonën e OKB-së deklaroi se shpërthimi theu xhamat e kamionëve me trupa ushtarake dhe shkaktoi ngritjen e një tymi të zi.

Nuk është e qartë se kush mund të jetë pas shpërthimit, gjithësesi, fraksioni opozitar Këshilli Kombëtar Sirian fajëson qeverinë, duke thënë se shpërthimi është pjesë e një fushate për të larguar vëzhguesit e OKB-së nga vendi.

Gjeneral-majori Mood dënoi shpërthimin duke deklaruar se vëzhguesit do të mbeten të përqendruar tek misioni i tyre, pavarësisht asaj që ndodhi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA