Rusi, kujtohet Dita e Fitores

09/05/2012 15:45

Një publik i ftuar u mblodh në afërsi të Kremlinit për të ndjekur paradën e sivjetshme të ditës së fitores në Sheshin e Kuq.

Presidenti rus Vladimir Putin, i betuar vetëm dy ditë më parë në një ceremoni luksoze në Dhomën e Carëve, mbajti një fjalim të shkurtër ku risolli në kujtesë mësimet e nxjerra nga Lufta e Dytë Botërore, apo “Lufta e madhe patriotike”, siç quhet në Rusi.

“Edhe një herë dhe në mënyrë të hapur duhet pranuar se qëllimeve agresive të nazistëve nuk iu bë rezistencë në kohën e duhur, pikërisht prej mungesës së unitetit mes kombeve, dyshimeve dhe konfliktit ideologjik që kishin me njëri-tjetrin”, deklaroi Putin.

“Të gjithë në duhet të kujtojmë përse filloi ajo luftë dhe të analizojmë mësimet e nxjerra prej saj, sepse jane ende të vlefshme. Dua të theksoj se vetëm zbatimi i rreptë i normave ndërkombëtare, respektimi i sovranitetit të shtetit dhe zgjedhja e pavarur e njerëzve mund të garantojë mospërsëritjen e tragjedisë së luftës”, nënvizoi “Cari” i ri i Rusisë.

Qindra trupa parakaluan përpara tribunës së ngritur në Sheshin e Kuq, ku Putin, kryeministri i porscaktuar Dmitry Medvedev dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, politikanë, diplomatë e veteranë lufte ishin ulur si të ftuar specialë.

Duartrokitje shoqëruan bashkimin e marinarëve e paraushtarakëve me pjesën tjetër të forcave në paradë. Personelin e pasuan automjetet e ushtrisë, pas tyre vinin tanket e në fund raketa-mbajtëset.

Parada e V-Day zhvillohet çdo vit në sheshin qendror të Moskës për të shënuar kapitullimin e Gjermanisë në 1945-ën e për të ekspozuar gjithashtu  fuqinë ushtarake të Rusisë. 9 maji përmbyll tre ditë festash zyrtare që mbahen me këtë rast në mbarë vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA