Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka deklaruar nga Nju Delhi se Pakistani duhet të bëjë më shumë në luftën kundër terrorizmit.
Në përfundim të një takimi me homologun indian S.M. Krishna, zonja Clinton tha se nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të luftuar terrorizmin.
“Megjithatë, është Pakistani ai që duhet të bëjë më shumë”, ka nënvizuar shefja e diplomacisë amerikane.
Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur ende të “arnojnë” marrëdhëniet e tyre të futura në krizë të thellë, pas operacionit të komandove amerikanë për të vrarë Bin Laden, për të cilin nuk u informuan autoritetet pakistaneze.
Gjithashtu, Islamabadi zyrtar është ende i acaruar për sulmin e NATO-s në nëntorin e kaluar, ku mbetën të vrarë 24 ushtarë pakistanezë.
I dërguari i SHBA për rajonin, Marc Grossman u nis muajin e kaluar nga Islamabadi pa mundur të zhbllokojë ngërçin, duke thënë se Pakistani dëshiron që Amerika t’i kërkojë falje për dy ngjarjet në fjalë, si kusht për rigjenerimin e raporteve.
Reagimi i Clinton vjen gjithashtu një ditë pasi talebanët pakistanezë u prenë kokën dy ushtarëve të NATO-s, kombësia e të cilëve për momentin nuk dihet.
Top Channel