Policia kolumbiane deklaron se një person i dyshuar si trafikanti më i madh i drogës në vend, i vendosur në listën e më të kërkuarve, është vetëdorëzuar tek forcat e rendit.
Javier Antonio Calle Serna, i njohur ndryshe si Comba, u dorëzua në duart e agjentëve të Administratës Kundër Drogës, DEA, në ishullin Aruba.
Comba akuzohet për vrasjen në vitin 2008 të Wilber Varela, një baron kolumbian i drogës, të cilit thuhet se i mori kontrollin e rrugëve të trafikut.
43-vjeçari është marrë nga agjentët amerikanë në Nju Jork, ku dhe do të përballet me gjyqin.
Numri dy i policisë kolumbiane, gjenerali Jose Roberto Leon deklaroi se Comba kishte qenë në negociata me autoritetet amerikane për shumë muaj me radhë.
Sipas tij, lordi i narkotrafikut u vetëdorëzua tek ato ditën e premte në Aruba, pasi presioni nga forcat e sigurisë u rrit ndjeshëm.
Zyrtari i lartë tha gjithashtu se Comba, shkurtimi i pseudonimit “Combatiente”, e kishte nisur karrierën e tij kriminale në fillim të viteve ’80, kur u bashkua me lëvizjen rebele të FARK.
Sipas gjeneralit Leon, Comba u takua me trafikantin Wilber Varela në fillim të viteve ‘90 dhe shumë shpejt u bë krahu i tij i djathtë në drejtimin e kartelit Norte della Valle.
Top Channel