Një banor i azilit në Kavajë ka plagosur shoqen e tij 67-vjeçare Sulltane Muharremi të dielën. Maliq Tafaruçi ka plagosur të dielën me katër goditje thike të moshuarën për një konflikt që e kanë pasur që kur kanë qenë të rinj.
“Unë dëgjova ulërima dhe dola në ballkon. E çuam në Durrës ku e operuan. Ajo ka tre vite që rri këtu, por nuk i di problemet që ka pasur me zotërinë”, thotë një e moshuar e shtëpisë.
Në azilin e Kavajës ka kontrolle të shpeshta për mjete që mund të dëmtojnë të tjerët, por Tafaruçi ka blerë një thikë me të cilën ka sulmuar Tanën, e cila është e shtruar në spitalin e Durrësit
“Situata është e qetë dhe nën kontroll. Pacientja erdhi të dielën me dy plagë në afërsi të shtyllës kurrizore dhe dy të tjera në kraharor. Gjendja është më e stabilizuar pas trajtimit të këtyre dy ditëve”, shprehet mjeku i spitalit.
Ndërsa drejtori i azilit, z.Mehmet Rrapi, tregon: “Sulltana dhe Maliqi banonin në Durrës dhe kanë pasur historinë e tyre. Jeta i ndau dhe pas shumë vitesh u takuan këtu. Ne fillimisht nuk dinim gjë. Ata dilnin për kafe jashtë dhe nuk krijonin probleme. Diçka ndodhi dhe u grindën. Mbase ka qenë xhelozi mes tyre, por asnjëherë nuk e mendonim se do të ndodhte kjo sepse shkonin shumë mirë. Nuk e kanë treguar kurrë historinë e mëparshme.”
Më tej Rrapi zbulon se personazhet e kësaj historie të çuditshme kanë pasur edhe më parë probleme me drejtësinë: “Ata janë me precedentë penalë: Sulltana është akuzuar për vrasjen e bashkëshortit dhe zoti Tafaruçi për vrasjen e bashkëshortes. Gjithsesi nuk janë informacione zyrtare.”
Top Channel