Vetëm pjesërisht…

06/05/2012 00:00

FATOS BAXHAKU – “Freedom House” është një organizatë tejet prestigjioze.

Monitorimet e saj në fushën e lirive dhe të drejtave njerëzore janë nga ato që kanë ndikuar në ndryshimin e politikave në shumë vende. Vetëm para pak ditësh Shqipëria u përmend në një raport të saj për lirinë e mediave. Se në ç’vend të turpshëm ishim në këtë listë prej 127 vendesh më mirë të mos e themi edhe një herë, kjo tashmë është deklaruar. Ajo që na bëri më shumë përshtypje nga raporti ishte termi “pjesërisht i lirë”, pra një gjë as kështu e as ashtu, një gjysmëgjë, një punë e pakryer, një dëshirë e mbetur vetëm e tillë, një iluzion që nis pak nga pak të shuhet, as mish e as peshk sikurse thoshte dikur populli. Kjo puna e të qenët pjesërisht nuk është se lidhet vetëm me mediat dhe lirinë e tyre. Edhe në shumë fusha të tjera jemi të detyruar ta dëgjojmë shpesh këtë term. A ia vlen vallë të merremi në pak radhë me të? Le të shohim…

Pjesërisht të lirë

Kjo puna e sondazhit të “Freedom House” edhe mund të hajë ndonjë diskutim. Meqë punojmë ende në këtë fushë mund të hedhim edhe ndonjë mendim. Shtypi sot, i krahasuar me atë ç’ka kishim në vitet e para të demokracisë sigurisht është më i lirë. Tash nuk na rreh më njeri, askush nuk të çon në burg, nuk ka njerëz enigmatikë që dalin nga errësira e natës dhe të thyejnë nofullën me ndonjë saraçineskë. Edhe vetë pushteti diçka ka mësuar në tërë këto vite. Kështu që, i parë nga ky këndvështrim, vendi që duhet të kishim në klasifikimin e lirisë së shtypit çoku mund të ishte edhe diku më lart. Por, nejse kjo është punë e ekspertëve fort të nderuar e me përvojë të organizatës. Sepse shpesh ndodh, sikurse thotë një nga nenet e ligjit amerikan të Mërfit që e vërteta e një pohimi të mos ketë lidhje fare me besueshmërinë e tij dhe anasjelltas.

I parë nga një këndvështrim tjetër, liria e shtypit është e lidhur me shkallën e lirisë së shqiptarëve në tërësi. Askush nuk mund të mohojë që tashti nuk ka liri të lëvizjes, liri të punës (atëherë kur e gjen atë), liri të shkëmbimit të mallrave dhe ideve, liri të grumbullimit dhe të organizimit. Tashmë faza më elementare e lirisë, ajo e parë si lëvizje fizike, apo si plotësim i dëshirave fizike është plotësuar, vetëm se ne harrojmë se kjo është shkalla më primitive e lirisë, ajo që ka lidhje më së shumti me orekset, stomakun, kënaqësinë fizike. “Liria hobsiane – shkruan me të drejtë Hysamedin Feraj – e tretur te shqiptarët në orekset e instinktit si dëshirë për pasuri e pushtet është konceptimi më i thjeshtë, por edhe më i gabuar i lirisë”. (Hysamedin Feraj, E pafilozofuara; Zenit; Tiranë 2011). Sepse liria e vërtetë është ajo e njeriut të lirë në mendime, të njeriut që debaton dhe parashtron ide, jo filozofike, por atë që kanë lidhje me fshatin, rrugën dhe lagjen e tij, e njeriut që nuk e sheh pushtetin si sundimtar të popullit, porse thjesht si një mjet të zgjedhur prej tij, si shërbëtor të tij për të rregulluar jetën vetjake dhe të përbashkët. Imagjinoni pak se sa liri shprehjeje ka një nëpunës i vogël i shtetit (dhe këta janë shumica e të punësuarve në Shqipëri), i cili të gjithë ekzistencën e tij dhe të familjes e ka të varur vetëm e vetëm nga ata që ka mbi krye. Imagjinoni pak këtë njeri të vockël duke kritikuar ideologjinë a politikën e partisë ku bën pjesë shefi i tij. Ose do ta quanin të çmendur e zevzek, ose do ta cilësonin si një djalë plangprishës, sepse e drejta e merituar e punës ende konsiderohet si një kockë që i hidhet njërit apo tjetrit hallexhi. Në të dyja rastet guximtari, që mendon se jeton në një vend të lirë, do të flakej nga puna duke rrezikuar kështu seriozisht bukën e gojës. Shumë shpesh shkalla e lirisë që kemi arritur na kujton vargjet e një poezie të Migjenit: …Liri!- Po, liri dhe gaforrja gëzon, Por gaforre asht… Liri, ku plogësi ndërgjegje gjallon, Jo, liri nuk asht! Të parë kështu, si “vendi i gaforreve të lira”, mbase ekspertët e “Freedom House” kishin pjesërisht të drejtë. Në fakt, si mund të gëzojnë shtyp të lirë gaforret gjithnjë të uritura?

Pjesërisht të shtirur

Përkujtimi i 5 Majit (jo vdekja e Napoleonit, por dita jonë e dëshmorëve) ka ndryshuar nga ai tradicionali, kur familjet e dëshmorëve merrnin dy kile mollë për të pritur mysafirët e trishtuar. 5 Maji tani është më modern. Krerët e lartë të politikës bëjnë homazhe pastaj dalin para tufës së operatorëve dhe me ton patetik thonë disa fjali të stërpërsëritura nën hijen e rëndë të Nënës Shqipëri. Pastaj secili në punë të vet dhe ceremonia mbaroi.

Ndokush prej pjesëmarrësve në këtë ceremoni vërtet që mund të jetë prekur duke kujtuar rrëfime, libra të lexuar, histori bëmash e lufte, lapidarë të harruar, porse shumica prej tyre as që vret mendjen për ata të cilët tashmë që prej shumë e shumë dekadash prehen në thellësitë e errëta. Ishin shumica të rinj ëndërrimtarë. As që e kishin shkuar ndërmend se mbi gjakun e tyre do të ngriheshin piramida vrasjesh në emër të luftës për pushtet. Donin thjesht një Shqipëri të lirë, jo pjesërisht të lirë, një vend modern sikurse shihnin rreth e rrotull. Në 5 Majin e djeshëm pamë një shumicë indiferente që vazhdoi t’i gëzohej diellit në këtë fundjavë dhe një tjetër grup të shtirurish që lëshoi deklarata patetike dhe shikoi punën sërish. Me siguri në thellësinë e errët të tokës së lagur dëshmorët e ngratë do të kenë menduar: Obobo, u kthyen këta sërish! Përse nuk na lenë të qetë në vetminë tonë dhe të përveshin krahët për të bërë Shqipërinë që ëndërruam? Me sa duket dëshmorëve do t’u duhet të presin edhe do kohë derisa pjesërisht të shtirurit të vendosin më në fund të mos shtiren.
 
Pjesërisht servilë

Kjo puna ambasadorëve të huaj që janë shndërruar në figurat më të njohura televizive te ne – duke përjashtuar dy krerët e mëdhenj të politikës – është bërë shkas për barsoleta. Jemi thuajse si në fund të shekullit të XIX, kur kryeqyteti i perandorisë ku përfshiheshim ishte me mijëra kilometra larg, në Stamboll. Atëherë në qytetet tona kryesore konsujt perëndimorë e rusë ishin figurat më të shquara pas valiut. Ata deri diku bënin ligjin. Asokohe nuk kishte televizorë, porse mekanizmi i përhapjes së lajmit ua kishte bërë të ditur tashmë shqiptarëve: çfarë thonë ata bëhet! Kjo pafuqi gati-gati servile vazhdoi për shumë e shumë vjet në politikën tonë, për dreq vazhdon edhe sot. Duket se tashmë e kemi pranuar fatin tonë. Ne, pa “konsujt” modernë, nuk mund të vendosim, të merremi vesh, të planifikojmë, të ndryshojmë. Me kokën ulur prej servili anadollak presim e përcjellim ambasadorë, delegacione, ekspertë… Nuk besojmë se do të ketë ndonjë vend tjetër në botë, të paktën ndër vendet e qytetëruara, ku ambasadorët e huaj të jenë kaq protagonistë sa në Shqipëri.

Shembulli më i fundit jo vetëm i marrëzisë, por edhe i vetë servilizmit pa skaj ndaj të huajve është skandali me diplomën e falsifikuar të Renzo Bosit, djalit të ksenofobit Umberto. Hetimet do të flasin më shkoqur për këtë rast, porse që tani mund të imagjinojmë se çfarë ka ndodhur. Një motiv i fortë në këtë histori duhet të ketë qenë paraja. Senatori me siguri ka afruar para të madhe për ta diplomuar djalin e tij që kishte mbetur katër herë në provimet e maturës. Porse me siguri këtu ka ndikuar edhe servilizmi i pashoq ndaj të huajve, emri i Bosit, i Italisë, i senatorit. Ky lëshim, kjo shkelje flagrante e ligjit i është bërë pikërisht njërit prej njerëzve që ua ndaloi për shumë kohë hyrjen në Shqipëri hallexhinjve shqiptarë, bashkëpatriotëve tanë. Kështu që kush ka gisht në këtë punë është treguar pjesërisht makut, pjesërisht i marrë, por edhe pjesërisht servil ndaj të huajve, sikurse shumë të tjerë prej nesh.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA