
Në shenjë solidariteti me ish të përndjekurit politikë, por edhe si pjesë të programit të partisë Aleanca Kuq e Zi, kreu i saj vizitoi shtëpinë e Ylli Asllanit, dënuar me 15 vjet heqje lirie nga regjimi dikatorial.
Qëllimi i vizitës së zotit Spahiu ku banojnë afër 100 familje ish të përndjekurish, ishte shikimi nga afër i kushteve ku ata jetojnë. Për kreun e AK-së, ish të përndjekurit dhe të burgosurit politikë sot po përjetojnë një pushkatim të dytë, pas mjerimit ku i ka lënë qeveria e Berishës.
“Kjo shtresë sot përballet me një pushkatim të ri, rrezikojnë që t’i nxjerrin edhe nga këto kasolle. Pas 22 vitesh mashtrimesh, braktisjesh dhe rrëmbimi vote, sot këta përballen me një pushkatim të ri. Sot qeveris e djathta dhe kryeministri i cili ka pretenduar që përfaqëson shtresën e anti-komunizmit dhe të përndjekurve, sot shikoni se kush është shtresa e cila qeveris vendin?! Sot vendi qeveriset nga një grup i vogël njerëzish, nga disa familje që kanë mashtruar dhe po ndëshkojnë edhe njëherë shoqërinë shqiptare duke tradhëtuar në radhë të parë shtresën e të përndjekurve politikë me të cilët ata duhet të ndanin pushtetin. Cilin pushtet kanë ndarë?!”, deklaroi Kreshnik Spahiu.
Me vendim të Ministrisë së Mbrojtjes rreth 100 familje banojnë në kompleksin sportiv Partizani që prej 20 vjetësh mes mjerimit dhe kushteve të këqia të jetesës. Këto familje të vuajtura në dekada, duhet të përballen me një vendim që kërkon largimin e tyre nga barrakat ku jetojnë, pasi toka, sic thuhet, është marrë nga pronari i saj.
Top Channel