
Llogaritë për qendrimin e Hertës së Berlinit në Bundesligë janë komplikuar tej mase në fundin e sezonit. Skuadra kryeqytetase duhet të fitojë ndaj Hofenhajmit të shtunën, dhe të shpresojë që Këlni nuk do të marrë 3 pikët ndaj Bajernit të Mynihut, në ndeshje që do të luhen paralelisht në të njëjtën orë.
Pikërisht këtë skenar shpreson edhe trajneri Otto Rehagel për të shmangur rënien direkte të Hertës, dhe për një vend në Play Off. 73-vjecari Rehagel i njohur për punën e madhe që bën me skuadrat të cilat nuk kanë patur sukses më parë, mendon se Herta do të fitojë sfidën vendimtare këtë fundjavë.
“Futbollistët janë stërvitur mjaft mirë këtë javë dhe patën edhe një takim mes tyre për të diskutuar fatin e ekipit. Jam i bindur se cdokush do të japë maksimumin të shtunën”, tha trajneri i Hertës së Berlinit.
Nën drejtimin e Rehagel, skuadra berlineze ka fituar vetëm 8 pikë në 11 ndeshje, dhe shanset për qëndrimin në Bundesligë nuk janë të mira.
Top Channel