Miratohet gjykata administrative

03/05/2012 19:55

Parlamenti miratoi me konsensus ligjin e Gjykatës Administrative, i cili është edhe i fundmi i ligjeve me 3/5 për të cilat mazhoranca dhe opozita kishte rënë dakord për të rishqyrtuar dhe miratuar në marrëveshjen e nëntorit.

Por, konsensusi nuk pengoi socialistët dhe demokratët të kujtonin të shkuaren, pasi ky ligj u miratua me tre vjet vonesë, megjithë këmbënguljen e Brukselit dhe Uashingtonit.

Socialistët theksuan se me ndërhyrjen e opozitës u ndryshuan rreth tre të katërtat e ligjit, pasi varianti i qeverisë ishte i paplotë.

“Rreth 80% e neneve janë ndryshuar në komision, ndërsa janë shtuar edhe rreth 23 nene të reja. Kaq mjafton për të kuptuar qartë se sa të drejtë kishim me hezitimin tonë. Pas këtij miratimi, duhet të keni kurajon dhe të pranoni që projekti juaj ishte i paplotë dhe i dështuar. Duhet të kërkoni falje për të gjithë baltën që keni hedhur ndaj nesh”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj.

Por, demokratët nuk e pranuan këtë logjikë, pasi sipas tyre, këtë qëndrim opozita duhet ta mbante tre vjet më parë dhe të mos digjte ndihmen financiare për Shqipërinë për llogari të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

“Jeni ju që duke iu bindur kryetarit tuaj, vonuat reformën. Kjo sepse kryetari juaj besonte se mosvotimi do të na bënte neve gjëmën, por në fakt, gjëmën ia bëri shqiptarëve, të gjithë votuesve dhe reformës në drejtësi. Kjo është e vërteta e hidhur e ditës së sotme”, deklaroi Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.

Megjithë retorikën e pashmangshme, mazhoranca dhe opozita janë të dënuar të bashkëpunojnë sërish, pasi ligji për gjykatën admisitrative të hyjë në fuqi duhet që, përveçse qeveria të vërë në dispozicion infrastrukturen e duhur, është e domosdoshme që Parlamenti të miratoje me konsensus edhe ndryshimin e dy ligjeve te tjera me 3/5, njëri prej të cilëve është ligji për Gjykatën e Lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA