Kreu i LSI-së, Ilir Meta fajësoi klasën politike për vonesat në marrjen e statusit të vendit kandidat të Bashkimit Europian.

Duke përshëndetur Konventën Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Rinore për Integrim, Meta u bëri thirrje homologëve të tij të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të mos bëhen më pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat.

“Tani është koha e klasës politike për të marrë përgjegjësitë e saj e për të mos u bërë më një pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ky vit duhet të jetë viti i mundësisë së realizuar europiane për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe kur duhet që të gjithë shqiptarët të bëjnë një përpjekje të madhe e në radhë të parë, forcat politike, qeveria dhe opozita për të kurorëzuar një proces që duhej të ishte realizuar më parë. Le të nxjerrim mësim, nuk kemi kohë për të humbur dhe në radhë të parë nuk mund të humbasim kohën e të rinjve, të atyre që ecin me ritëm më të shpejtë”, tha Meta.

Kreu i LSI-së tha se të gjithë politikanët, media, qytetarët dhe të gjithë faktorët e tjerë duhet të kontribuojnë për të ecur me ritmet që kërkon familja europiane.

Top Channel