
Partia Socialiste ka zhvilluar një tryezë me temë median, me gazetarë dhe drejtues të kompanive mediatike në Shqipëri, në qendër të së cilës ka qenë dhe liria dhe problematika e medias në vend.
Në këtë tryezë, kryetari i Partisë Socialiste ka theksuar se për ta mbetet një sfidë e madhe reformimi i Radio Televizionit Shqiptar, sipas standarteve ndërkombëtare, por edhe garantimi i aksesit që duhet të ketë çdo gazetar për të patur informacion mbi dokumentat zyrtare.
Edi Rama tha se për ta mbetet sfidë lufta për t’i dhënë fund presioneve të qeverisë për ndryshimin e linjës editoriale të mediave, çka do të ndryshojë sapo Partia Socialiste të vijë në qeveri.
“Ajo me të cilën përballet sot opozita është vështirësia, mundi dhe sakrifica. Nuk besoj se me këto 3 aspekte të të jetuarit opozitar mund të krijohet ndonjë klientelë, apo ndonjë aspekt mediatik klientelist. Nuk ka lidhje fare opozita me klientelizmin si nocion. Dihet mirë se kush i organizon klientelat”, deklaroi Rama.
Më pas në tryezë u prezantuan edhe rezltatetet e studimit Sfidat e Medias në Shqipëri. Zonja Iris Luarasi ka sqaruar se në këtë sondazh, ku janë pyetur 276 gazetarë në gjithë vendin, ka rezultuar se 48.9% e tyre nuk janë të kënaqur me gjendjen e medias në vendin tonë dhe tendenca e tyre për të ardhmen është skeptike.
“Një pjesë e mirë e të intervistuarve, 48.9 për qind, nuk janë të kënaqur me gjendjen e medias në vend. Krahasuar me një vit më përpara, ata shprehen se nuk ka ndonjë ndryshim, se kjo është një gjendje e njëjtë. Gjithashtu, për shpërndarjen e reklamave shumica, 63.6 për qind, mendojnë se bëhet në mënyrë negative. Po ashtu, nuk ka mendim pozitiv edhe për financimin e mediave dhe zbatimin e kontratave të punës”, deklaroi Luarasi.
Zonja Luarasi tregoi se Radio Televizioni Shqiptar, edhe pse paguhet nga taksat e publikut shqiptar, ndjek një vijë editoriale tërësisht politike. Duke prezantuar monitorimin e një dite të lajmeve të këtij televizioni, binte në sy se mungonte tërësisht opozita.
Gjate diskutimeve, gazetarë e publicistë të ndryshëm, si Aleksandër Çipa, Andi Tela, Andrea Stefani, Agron Çobani, Shpëtim Nazarko, KiÇo Blushi, Çim Peka apo drejtues e pronarë të mediave si Irfan Hysenbelliu, Ilir Butka, kanë ngritur probleme të ndryshme që lidhen me lirinë e medias, trajtimin e gazetarëve, problemet financiare, vështirësi qe has media, sidomos ajo e shkruar për të mbijetuar, por edhe probleme të tjera që hasen për shkak të politizimit të skajshëm.
Zonja Valentina Leskaj ka theksuar se po punohet shumë që kompanitë mediatike të kenë pavarësi të plotë nga autoritet publike, politike si dhe financiare.
“Përsa i takon ligjit për mediat elektronike, gjëja kryesore e angazhimit tonë është garancia ligjore për një pavarësi të mediave nga autoritetet publike, forcat politike dhe forcat ekonomike. Këto të treja në vizionin tonë janë shumë të rëndësishme. E dyta është qeveria, që duhet të mbajë duart larg çdo enti rregullator dhe e treta është vendimmarrja e institucioneve që kontrollojnë ndërmarrjet mediatike, sidomos KKRT-ja”, deklaroi Leskaj.
Ndërsa Edi Rama deklaroi më tej se pas konsultimeve të tjera që do të vijojnë, programi i Partisë Socialiste për median do të paraqitet në vitin 2013, në hapje të fushatës elektorale.
Top Channel