Përvjetori i Estradës së Tiranës

02/05/2012 00:00

Në 60 vjetorin e krijimit të Estradës së Tiranes, plejada e artistëve dhe interpretuesve të saj ndër vite, u  mblodh për të përkujtuar një jetë në skenë.

Në ambjentet e Teatrit të Metropolit në kryeqytet, aty ku Estrada ka patur shtëpinë e saj për dekada të tëra, mes nostalgjisë, artistët kanë ndarë emocionet e vecanta, por edhe kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për mbylljen në vitin 2005 të këtij institucioni aq të dashur për publikun.

Skender Sallaku, aktor : Nga publiku kemi vlerësimet nga më të mëdhatë, por mbylljen e Estradës së Tiranës, e kam peng në zemër. Më vjent keq! Kur mendon që estradë ka Pogradeci, Kukësi, Peshkopia, Tiranës t’i mbyllet estrada?! Mos harroni, jepnin 26 shfaqje në muaj.

Melpomeni Çobani, aktore: Sot në 60 vjetorin e estradës duhet të ishim vlerësuar. Ka këngëtarë që duhen vlerësuar, ka aktorë që duhen vlerësuar, ka orkestrantë që duhen vlerësuar. Për mendimin tim duhet të kishte një vlerësim nga ana e Presidencës.

Luan Zhegu, këngëtar : Mbyllja e Estradës së Tiranës, për mendimi tim është si t’i heqësh të qeshurën kryeqytetit.

Edhe aktori Met Bega u shpreh me nostalgji se ka qenë pjesë e shfaqjes së fundit të vënë në skenë nga trupa e estradës dhe se njerëzit kanë nevojë për humorin.

Në një kohë kur institucionet nuk i japin më humorit vëmendjen e duhur, spektakle tepër të ndjekura si “Portokallia” e servirin atë te publiku duke mbajtur gjallë argëtimin dhe të qeshurat.

Estrada e Tiranës ka qenë e para estradë shqiptare. Në skenën e saj janë ngjitur breza të tërë artistësh si, Melpomeni Çobani, Anita Take, Skënder Sallaku, Met Bega, Rita Lati, Telat Agolli, Luan Zhegu apo Ema Qazimi të cilët me anë të humorit, këngës, valleve apo pjesëve akrobatike kanë dëfryer publikun kryeqytetas për një kohë të gjatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB