Arjen Robben nuk do të rinovojë me Bayern Munchen pasi nuk i ka pëlqyer sjellja e drejtuesve bavarezë pas zënkës që pati me shokun e tij të ekipit, Frank Ribery.
Sipas ‘Bild’, hollandezi priste më shumë mbështetje nga ana e klubit në vend të minimizimit të incidentit. Robben dhe Ribery debatuan ashpër mbi një goditje dënimi gjatë ndeshjes së parë gjysmëfinale të Champions ndaj Real Madrid.
Sergio Ramos kreu një ndërhyrje të gabuar pak para përfundimit të pjesës së parë dhe të dy futbollistët filluan të diskutonin dhe të shtynin njëri-tjetrin për të marrë përsipër goditjen. Në fund ishte Toni Kroos ai që ekzekutoi, ndërsa lojtarët “grindavecë” u larguan nga kapiteni Philipp Lahm. Duke hyrë në dhomat e zhveshjes hollandezi me francezin u përqafuan duke mbyllur sherrin në pamje të pare, por në dhomat e zhveshjes Ribery goditi Robben me grusht.
Bayern vendosi të mos e bënte aq të madhe duke e mbyllur me një gjobë prej 50 mijë eurosh për francezin. Robben dhe babai i tij (që njëkohësisht është agjenti i futbollistit) nuk kanë mbetur të kënaqur nga kjo zgjidhje dhe për këtë arsye nuk do të diskutojnë rinovimin e kontratës që përfundon në vitin 2013.
Top Channel