Norvegji, vdes papritur kampioni i notit

01/05/2012 00:00

Kampioni i notit në Norvegji, Alexander Dale Oen ka vdekur papritur në
moshën 26-vjeçare në Shtetet e Bashkuara. Lajmin e ka bërë të ditur
federata norvegjeze e notit.

Ai u gjet i rrëzuar në dush në orët e vona të së hënës, pas stërvitjes në Flegstaf të Arizonës, bëjnë të ditur mediat norvegjeze.

Shokët e tij thanë se më herët ai ishte dukur mirë me shëndet. Shërbimet e emergjencës mbërritën brenda pak minutash, por sjellja e tij në jetë ishte e pamundur.

Presidenti i Federatës Norvegjeze të Notit, Per Rune Eknes deklaroi se sportisti kishte pësuar një atak kardiak.

Alexander Dale Oen fitoi medaljen e argjendtë në Lojrat Olimpike të vitit 2008 në Pekin dhe konsiderohej si një shpresë e fortë për Lojrat Olimpike Londër 2012.

Ndërsa në korrik të vitit 2011, ai fitoi medaljen e artë në 100 metra në Final World Championship të Shangait. Medaljen në fjalë ai e fitoi pak kohë pas masakrës së Anders Behring Breivik dhe atëherë deklaroi se ngjarja në fjalë e kishte motivuar më shumë. “Ne nuk mund ta lejojmë këtë djalë të shkatërrojë të ardhmen tonë”, tha atëherë Dale Oen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA