“Kam 12 vite si trajner dhe mua lodhja më vjen në qershor kur përfundon sezoni dhe nuk ka më ndeshje për të luajtur.” Kështu është shprehur Jose Mourinho duke iu përgjur pyetjeve të mediave spanjolle mbi largimin e Pep Guardiolës nga stoli i Barcelonës për shkak të lodhjes.
Tekniku katalanas deklaroi kur njoftoi largimin e tij nga stoli blaugranave se “katër vite tek Barcelona janë shumë dhe të lodhin”.
Trajneri i Real Madrid nënvizoi: “Guardiola mori një vendim personal dhe vetëm ai mund të flasë për këtë. E rëndësishme është që ai të ndihet mirë me veten.”
Në lidhje me fitimin e titullit kampion në Spanjë me klubin madrilen, tekniku portugez theksoi: “Duhen edhe tre pikë që ta fitojmë. E dimë që jemi pranë triumfit dhe nëse e arrijmë do të jem shumë i lumtur sepse qëllimi im ka qenë të fitoj titullin në tre kampionatet më të forta në botë: Angli, Itali dhe Spanjë.”
Ndërsa vetë Guardiola nënvizoi se arsyeja e largimit nuk ishte Mourinho: “Lodhja vjen nga përditshmëria dhe nga fitoret e shumta. Kam kaluar disa trajnerë të Realit, por arsyeja që unë heq dorë nuk janë të tjerët.”
Real Madrid do të luajë të martën ndeshjen e radhës në transfertë ndaj Athletic Bilbao (22:00), ndërsa Barcelona do të luajë po të martën në Camp Nou ndaj Malaga (20:00). Kur duhen edhe 3 takime nga fundi i kampionatit madrilenët kanë jnë avantazh prej 7 pikësh ndaj katalanasve në krye të renditjes.
Top Channel