
Partia Socialiste hedh hapin e parë në procesin për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, nëpërmjet një letre që kreu opozitës Edi Rama i ka dërguar krereve te partive parlamentare, duke i ftuar në një takim të drejtpërdrejtë, për të këmbyer pikëpamjet dhe për të tentuar të hapim një dialog konstruktiv.
Në fillim të letrës zoti Rama e vë theksin në rëndësinë që merr ky proces që sipas tij nuk duhet të trajtohet thjesht si një procedurë parlamentare e radhës. Për më tepër në kontekstin e sotëm historik të Shqipërisë, shkruan Rama që për të tretin vit radhazi synon të ngjitet në shkallën e kandidatit për Bashkimin Europian, kjo zgjedhje kërkon një vlerësim dhe vëmendje të veçantë.Procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, zoti Rama e lidh drejtëpërsëdrejti me integrimin europian të Shqipërisë kur thotë se: “Shqiptarët pa dallim presin një përgjigje pozitive nga Komisioni Europian për aplikimin për statusin e kandidatit. Po edhe miqtë e partnerët tanë europianë dhe Shtetet e Bashkuara po njësoj, si mbështetës të palëkundur të vendit tonë në rrugën e integrimit, nuk e dëshirojnë që aplikimi i Shqipërisë të refuzohet për të tretën herë këtë vjeshtë. Ata së bashku kanë bërë dhe po bëjnë gjithçka munden që kjo të mos ndodhë. Mirëpo, padyshim, në radhë të parë jemi vetë ne, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve që duhet të bëjmë gjithçka mundemi që Komisioni Europian të na mbështesë në ngjitjen e shkallës së parafundit për integrimin e plotë në Bashkimin Europian”.
Letra e zotit Rama vijon me cilësimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, si një provim shumë i rëndësishëm për Shqipërinë drejt momentit kyç të vjeshtës së ardhshme, që përkon edhe me 100-vjetorin e shtetit shqiptar.
“Pesha e madhe simbolike e 100-vjetorit i jep një rëndësi ende më të veçantë edhe procesit të nevojshëm politik, që duhet të rezultojë me zgjedhjen për President të një figure, e cila në frymën e Kushtetutës sonë simbolizon unitetin kombëtar. Me po kaq rëndësi besoj gjithashtu se është edhe për qytetarët shqiptarë, që në fund të një procesi të mundshëm gjithpërfshirës mes gjithë palëve parlamentare, për zgjedhjen e kreut të shtetit, të kenë në krye të shtetit një President garant të Kushtetutës dhe të institucioneve apo të proceseve kushtetuese, që lidhen me kreun e shtetit, e jo një noter partiak të një pale të vetme”, shkruan Rama.
Rama e mbyll letrën me një ftesë publike për liderët kryesore te partive parlamentare.
“Në emër të Partisë Socialiste dhe të të gjithë asaj mase të madhe qytetarësh shqiptarë që Partia Socialiste përfaqëson në Kuvend, dëshiroj t’Ju ftoj me anë të kësaj letre që të takohemi drejtpërdrejt, për të këmbyer pikëpamjet tona dhe për të tentuar të hapim një dialog konstruktiv mes të gjitha palëve lidhur me rëndësinë madhore të ndërtimit të një procesi të dobishëm për vendin në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Mbetem në pritje të një përgjigjeje nga ana Juaj për këtë kërkesë dhe jam i gatshëm t’ju takoj pa humbur kohë”, shkruan Rama.
Deri më tani janë dy kandidatë për presidentin e ardhshëm të Republikës, Fatos Nano dhe Neritan Ceka.
Nano prej kohësh ka nisur takimet me krerët e partive kryesore, si dhe me diplomatët e huaj në vendin tonë. Nano u takua me Metën, Ramën dhe një takim joformal me kryeministrin Sali Berisha.
Ndërkohë në fund të javës së shkuar PAD shpalli kandidaturën e vet për President, Neritan Cekën, i cili rikandidon për këtë post për të herë të dytë. Herën e parë ai ishte kandidat në garë me Bamir Topin, asokohe i propozuar nga PD, por që u zgjodh edhe me votat e disa deputetëve socialistë.
Top Channel