Monumenti i 100-Vjetorit

30/04/2012 00:00

Vepra jonë nuk është plagjiaturë. Kështu janë shprehur Visar Obrija dhe Kai R. Kiklas, autorët e bocetit fitues për monumentin e 100-Vjetorit të Pavarësisë.

Autorë dhe kritikë kanë pohuar në media se boceti fitues mund të jetë huazuar, apo autorët kanë marrë idenë nga dy krijime, njëri i autorit të njohur minimalist Richard Serra dhe tjetri, vepra “Dyert e Evropës”, e ekspozuar në Pogradec në 2009-ën, e shqiptarit Fate Velaj.

“Ne kemi dëgjuar, jemi informuar nga media që ka pasur një artist shqiptar, i cili ka krijuar diçka të ngjashme, por nuk kemi pasur paraprakisht asnjë kontakt me të dhe as nuk e njihnim më parë punën e tij”, ka deklaruar arkitekti Obrija.

Edhe kryetari i jurisë dhe njëkohësisht drejtor i Galerisë së Arteve, Rubens Shima, është shprehur në favor të autorëve, duke evidentuar ndryshimet mes veprës së tyre dhe atyre të lartpërmendura.

“Vepra e propozuar nga dy autorët është shumë komplekse. Sigurisht që ajo huzaon një gjuhë minimaliste, por simbolika e saj është e drejtë dhe tentativat për të sajuar alibi rreth një plagjature janë vetëm keqkuptime në rastin më të mirë”, ka deklaruar Shima.

Më pas Obrija dhe Kiklas kanë paraqitur në sallën e Galerisë së Arteve në kryeqytet projektin e tyre dhe idenë mbas tematikës së ndjekur.

“Ajo ku ne u fokusuam konkretisht në këtë objekt është ndjesia e izolimit dhe e të qënit i shtypur dhe duke qenë se kulla është një objekt që shërben për t’u mbrojtur dhe në një moment thyhet, hapet, pikërisht kemi parë këtë momentin e çlirimit, të hapjes”, ka thënë arkitekti Kiklas.

Vepra, e cila do të ketë një baze 4 me 4 metra, do të jetë e lartë 8 metra dhe do të ndërtohet me hekur, në të cilin do të ndërthuren 5 mijë elemente bronxi. Ndërkohë, ende nuk është përcaktuar vendi se ku do të vendoset kjo vepër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB