
Për partnerët europianë të Shqipërisë nuk kishte rast më të mirë sesa të shfrytëzonin 9 Majin, Ditën e Europës, për t’u përfshirë në aktivitetet për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ky vit jubile për shqiptarët është edhe arsyeja pse përfaqësuesit e Bashkimit Europian kanë vendosur që traditën 1-javore për festimin e Ditës së Europës ta shtrijnë përgjatë 1 muaji.
Duke nisur nga 1 maji deri më 31 maj, Bashkimi Europian ka përgatitur një axhendë intensive me aktivitete, të cilat kanë për qëllim promovimin e vlerave europiane.
Për shembull, siç shpjegoi ambasadori Ettore Sequi, përveç një ekspozite fotografike që do të tregojë lidhjet e ngushta mes shqiptarëve dhe europianëve, apo qendrës informative për biznesin, që ka për qëllim të tregojë sesa e rëndësishme është ekonomia, do të organizohen aktivitete për mbrotjen e mjedisit, konkurse mes të rinjve për njohuritë rreth Bashkimit Europian, aktivitete sportive, një konferencë arkeologjike për promovimin e trashëgimisë kulturore, promovimin e të drejtave të njeriut dhe dinjitetin njerëzor në ditën e homofobisë, më 17 maj dhe disa aktivitete të tjera, që do të mbyllen në një bashkëbisedim direkt në internet mes ambasadorit të Bashkimit Europian, Ettore Sequi dhe të rinjve shqiptarë.
Sepse teknologjia tashmë është kthyer në një stil jetese edhe në Shqiperi. Ambasadori Sequi, në emër edhe të përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE, ftoi shqiptarët të bëhen pjesë aktive gjatë gjithë muajit maj.
“Kjo nuk është një ftesë protokollare apo një ftesë kortezie. Kjo është një ftesë për pjesëmarrje aktive, sepse ne besojmë se komunikimi dhe ndërveprimi janë një mënyrë që ne të mësojmë nga njëri-tjetri. Kjo është një mënyrë për të mësuar së bashku, për të mësuar me ju. Në pikëpamjen time, ajo që duhet të karakterizojë shpirtin e këtij muaji është parulla e Muajit të Europës: “Rritemi më të fortë së bashku””, deklaroi Sequi.
Gjatë Muajit të Europës, i cili përkon me nisjen e proçedurave për zgjedhjen e presidentit, edhe politika shqiptare është angazhuar të shfaqet bashkëpunuese.
Të paktën, siç tha ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila foli edhe në emër të kryetarit të komisionit parlamentar socialistit Ditmir Bushati, palët janë të angazhura për përmbushjen e detyrimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Top Channel