Pak ditë përpara vizitës në Shqipëri, komisioneri Fule shpjegoi nga Brukseli mesazhet kryesore që pritet të përcjellë, si dhe pritshmëritë në lidhje me axhendën e reformave europiane të vendit.

“E pres me padurim këtë udhëtim të radhës për një arsye të posaçme. Viti i kaluar nuk ishte viti më i mirë për proçesin e integrimit të Shqipërisë. U humb kohë në çështjet e brendshme dhe mungesa e gjithëpërfshirjes në proçes është parë si një plagë e infektuar më vete, këtu në Bruksel.

Por, më pas, në nëntor, pati një mirëkuptim të rëndësishëm. Pati një ripërtëritje të angazhimit nga të gjitha palët e interesuara në vend për një sërë çështjesh të proçesit europian. Gjërat nuk janë ende perfekte me siguri, por ata po ecin në drejtimin e duhur. Kështu që, unë po shkoj atje, jo për të adresuar çështjet dhe problemet e së kaluarës, por së pari për të çmuar atë që polikanët po japin ndaj pritshmërive, jo të Brukselit, por të qytetarëve shqiptarë.

Së dyti, dua të kem një diskutim se ku qëndrojmë sot. Si është tabloja sot? Nëse shohim apo jo të njëjtën gjë, kur lexojmë për progresin e deritanishëm, si dhe për çështjet që mbeten hapur. Së treti, dua të konfirmoj një udhërrëfyes shumë realist, me shpresën se ky mund të sjellë, ende këtë vit, Shqipërinë në një nivel më të lartë të axhendës së zgjerimit“, ka deklaruar Fule.  

TCH: Përveç reformave politike, sa të rëndësishme janë rezultatet në drejtim të shtetit ligjor, pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit, për marrjen e statusit kandidat?

Fule: “Mendoj se ju përmendët çështjet më të rëndësishme, sundimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, forcimi i demokracisë. Këto nuk mendoj se janë të rëndësishme vetëm për të lëvizur përpara me axhendën e zgjerimit, por ato janë elementët më të rëndësishëm për transformimin e vendit.

Ne kemi realizuar se me proçesin e zgjerimit, e në veçanti me negociatat për anëtarësim, mund të ndihmojmë shumë vendin për proçesin transformues. E për këtë arsye, Komisioni pati këtë qasje të re, në fund të vitit të kaluar, për dy nga 35 kapitujt e negociatave.

Kjo nuk do të thotë se disa kapituj janë më të rëndësishëm se të tjerët, por duke u marrë që në fillim, e jo në fund  të proçesit, me kapitujt 23 e 24 që kanë të bëjnë me gjyqësorin, drejtësinë, sigurinë, liritë e të drejtat themelore, kjo i lejon vendit që jo vetëm të miratojë legjislacionin e të ngrejë institucionet, por shkon në përfitim të qytetarëve që të garantohet me gjurmë provash dhe kjo do të jetë një prej çështjeve më të theksuara të negociatave për anëtarësim, ndaj ka kaq shumë rëndësi e fokus nga Komisioni në diskutimet me përfaqësuesit shqiptarë”.

Mbi zgjedhjen e presidentit, komisioneri pret që partitë politike të bien në ujdi.  

“Ata nuk do të mund të dëgjojnë prej nesh se çfarë duhet të bëjnë ekzaktësisht. Ne nuk kemi për qëllim që të imponojmë këtë apo atë rrugëdalje. Gjithësesi, ajo që do të nënvizoj në Tiranë është që roli i presidentit është i rëndësishëm, madje edhe me sistemin shqiptar. Ai duhet të jetë president i gjithë shqiptarëve. Ai është garanti, jo vetëm i kushtetutshmërisë, por reflekton gjithashtu këndvështrimet, apo shqetësimet jo vetëm të elektoratit të një partie, por të gjithë shqiptarëve. Ai duhet të jetë një element i rëndësishëm në kuadrin gjithëpërfshrës për reformat e hapat e ardhshëm që lidhen me zgjerimin. Ndaj, shpresoj shumë se të gjitha palët e interesuara, të gjitha partitë politike do të bëjnë një ujdi të tillë që të garantojnë se Presidenti i ri shqiptar do të reflektojë pritshmëritë“, ka theksuar Fule.

TCH: A mendoni se deri në vjeshtë mbetet kohë mjaftueshëm për Shqipërinë që të japë rezultate të tilla për të fituar rekomandimin për statusin kandidat?

Fule: “Ka një përgjigje të shkurtër e të qartë për këtë pyetje. Po. Absolutisht, po. Nëse ekziston vullneti, ekziston dhe mënyra. Ne jemi të vendosur për të asistuar Shqipërinë që të përshpejtojë reformat, të përdorë sa më mirë këtë atmosferë të re pozitive e gjithëpërfshirjeje përsa i takon qasjes për reformat dhe axhendës së zgjerimit.

Mendoj gjithashtu, e ky është elementi i dytë i rëndësishëm, se është e qartë se çfarë mbetet për t’u bërë. Ne nuk po flasim mbi çështje të panjohura. Në të vërtetë, nuk ka kaq shumë ambiguitet. Ka një listë shumë të qartë çështjesh për të çuar Shqipërinë përpara, në të mirën e vetë qytetarëve shqiptarë pikësëpari, e unë mendoj se kombinimi i vullnetit politik me ndërgjegjësimin mbi atë se çfarë nevojitet për t’u bërë, është përputhja më e duhur që Shqipëria të shënojë progres domethënës ende këtë vit.

Dhe unë shpresoj shumë se gjatë vizitës sime unë do të shoh atë nivel të lartë ambicjeje, jo vetëm nga disa, por nga të gjithë politikanët shqiptarë me të cilët do të bisedoj”.

Përveç takimeve me presidentin, drejtuesen e Kuvendit, kryeministrin dhe përfaqësues të tjere të qeverisë dhe opozitës, Stefan Fule do të takohet dhe me Avokatin e Popullit, si dhe do të mbajë një fjalim për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel