“Vatra”, 100 vjet në shërbim të kombit

29/04/2012 00:00

Me moton “100 vjet në shërbim të kombit”, Federata Panshqiptare “Vatra” kremtoi në Nju Jork themelimin e saj si organizata që për një shekull vendosi të parën interesin kombëtar.

I ftuari i nderit në këtë ceremoni, kryeministri Sali Berisha u bëri homazh të gjithë atyre shqiptarëve elitarë që bashkë me Fan Nolin dhe Faik Konicën, u bashkuan, themeluan “Vatrën” dhe ndërkombëtarizuan çështjen shqiptare në ditët më të errëta për kombin, kur ishte vënë në pikëpyetje ekzistenca e tij.

“Ky 100 vjetor është një homazh i madh për ata burra që 100 vjet më parë themeluan këtu në atdheun e lirisë në vendin e madh të lirisë, “Vatrën” , si vatër të lirisë së kombit shqiptar. Themeluan “Vatrën”, si vatër të dritës të kombit shqiptar, themeluan “Vatrën” si vatër të shpresës së pashuar kombëtare”, u shpreh Berisha.

Prania e përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve fetare në kremtimin e 100-vjetorit të themelimit të “Vatrës” ishte një rast shumë i mirë që shqiptarët të promovonin një nga virtytet më të mira të tyre dhe që i dallon edhe sot në botën e qytetëruar, harmoninë fetare. Me nderimin që i bëri Fan Nolit për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare si bastion të patriotizmit shqiptar, kryeministri Berisha solli në vëmendje edhe përpjekjet shekullore të të gjitha komuniteteve fetare në Shqipëri si modele të atdhetarizmit.   

Gjatë fjalimit të tij, kryeministri u ndërpre shpesh nga duartrokitjet e diaporës shqiptaro-amerikane, por entuziazmi më i madh i tyre shfaqej sa herë kryeministri përmendi rastet historike kur Shtetet e Bashkuara, në këto 100 vjet, kanë ndihmuar kombin shqiptar të ekzistojë në vendin e vet, të fitojë lirinë dhe pavaresinë e Kosovës, të zhvillojë demokracinë në Shqipëri dhe të bëhet anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Kur vështrojmë  këto 100 vite, kanë qenë vitet në të cilat kombi ka përjetuar drama dhe tragjedi të mëdha. Kanë qenë vite në të cilat kombi ka njohur pushtimet më të egra dhe diktaturat më mizore, por kanë qenë vite në të cilat shqiptarët kanë bërë më shumë se kurrë në tërë historinë e tyre për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Kanë qenë vite në të cilat në të gjitha momentet më kritike të ekzistencës së tyre, ata ia kanë dalë të fitojnë sepse kanë pasur prapa mbështetjen e fuqishme, përcaktuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Një nga pjesët më interesante të fjalimit të kryeministrit Berisha në 100-vjetorin e themelimit të “Vatrës” ishte kur foli për shqiptarët e vjetër dhe të rinj të Amerikës: “Do t’ju rrëfej një gjë:  nuk ka gjë  më të dhimbshme kur sheh bashkatdhetarët e tu që largohen nga vendi i tyre, por asnjëherë nuk ndien dhimbje për ata që vijnë në SHBA sepse në këtë vend të madh ata mbeten ndër shqiptarët më të mirë, sepse në këtë vend të madh ata i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve kontributin dhe ndihmesën më të madhe.”

Në shenjë mirënjohjeje për shërbimin 100-vjeçar në shërbim të kombit, kryeministri Sali Berisha i dhuroi federatës “Vatra” variantin orgjinal të himnit të “Vatrës”, i cili u luajt ditën e themelimit të federatës në Boston më 28 prill 1912.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB