Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ka bërë sërish thirrje për marrjen parasysh të kërkesave të partive të vogla nga komisioni i hartimit për reformën zgjedhore.
Duke folur në komitetin drejtues të PDS-së, Milo ka nënvizuar se tryeza politike që mblodhi 26 parti të spektrit të djathtë dhe të majtë ishte një eveniment unik në historinë e pluralizmit shqiptar.
Sipas tij, tryeza politike u mblodh për të shqyrtuar një nga problemet “më të rëndësishme”, si të realizohet një reformë e drejtë zgjedhore, që të garantojë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira.
“Dokumenti i nënshkruar nga 26 partitë nuk është një rekuizit autografesh, por një dokument serioz që duhet të kthehet nga komisioni parlamentar në pjesë integrale të Kodit Zgjedhor. Kryetarët e komisionit parlamentar janë përfaqësues politikë të partive të tyre, asnjë grup nuk mund të shpërbëjë qëndrimin e nënshkruar nga 26 partitë politike”, ka nënvizuar Milo.
Kreu i PDS ka vlerësuar se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, pasi ajo ndodhet pranë vendimmarrjeve të rëndësishme nga politika, e cila nuk mund t’i lejojë vetes gabime.
“Nëse politika do bëjë riciklimin e gabimeve të së kaluarës, atëherë Shqipëria do të riciklojë anti-vlerat e saj, që janë përpjekur ta tërheqin zvarrë në këto 20 vjet”, është shprehur Milo.
Ai ka shtuar se zgjedhjet e ardhshme parlamentare kanë një rëndësi të veçantë, pasi sipas tij është i domosdoshëm një rotacion politik pas 8 vjetësh qeverisjeje, sipas tij, të dështuar.
“Zgjedhjet parlamentare janë shumë të rëndësishme për vendin. Është i domosdoshëm një rotacion politik. Qeveria aktuale do ta ketë shumë të vështirë që të qëndrojë në pushtet. Shqiptarët nuk do të votojnë një koalicion partish që nuk ka bërë asgjë”, ka shtuar Milo.
Në ditët e fundit, kërkesa e partive të vogla për ndryshimin e Kodit Zgjedhor u firmos fillimisht nga kryetari i PS, Edi Rama dhe më pas nga kryeministri Sali Berisha.
Top Channel