Nderim për Zenel Gjolekën

28/04/2012 19:40

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e 160-vjetorit të rënies së atdhetarit kuçiot Zenel Hito Gjoleka, organizuar nga Kryesia e fshatit Kuç dhe nga shoqatat kulturore atdhetare “Labëria” dhe “Vëllazërimi Kuçiot”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, Ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika si edhe përfaqësues të pushtetit vendor, artistë, figura të shquara intelektuale të zonës, etj.

Pas vizitës në Varrezat e Dëshmorëve të fshatit Kuç, Presidenti vendosi një kurorë me lule edhe në monumentin e sapongritur të Zenel Gjolekës, vepër e skulptorit Zeqir Alizoti. Zenel Gjoleka ishte komandant i forcave kryengritëse të zonave midis Kurveleshit, Çamërisë, Delvinës, Gjirokastrës dhe Vlorës, që kërkonin në mes të shekullit XIX bashkimin e shqiptarëve si një tërësi etnike brenda perandorisë osmane, me interesa të përbashkëta, pavarësisht nga feja e krahina.

“Jo rastësisht ne kemi sot prezent figura politike dhe publike të ardhura nga të gjitha trojet shqiptare, dhe jo rastësisht të gjithë kanë zgjedhur të vijnë në festën tuaj, – natyrisht në festën tonë, në festën e të gjihëve, në shenjë respekti për veprën e pavdekshme të Gjolekës, por edhe për gjithçka që ju, prindërit e të parët tuaj kanë dhënë për Shqipërinë e çështjen kombëtare”, tha në fjalën e tij Presidenti Topi.

Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti e nderoi Zenel Gjolekën me urdhërin “Nderi i Kombit” pas vdekjes. Dekorata iu dorëzua përfaqësuesit të familjes, stërnipit të Zenel Gjolekës, Besfort Gjoleka.

Në fund, Presidenti ndoqi një koncert folklorik me interpretime karakteristike të zones, me pjesëmarrjen edhe të artistëve Mirush Kabashi dhe Kastriot Tusha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA