Artan Lame – Klosi ishte një prej atyre mendjeve të ndritura, kalorës vetmitarë që
janë aq qibarë, sa nuk përzihen dot me zullumet e çmendurisë kolektive
që e ka zënë këtë vend.
Dhe, si të gjithë kalorësit vetmitarë të mendjes, kur shohin t’u thyhet edhe heshta e fundit në murin e tollovisë njerëzore, vendosin të largohen. Por këtu zë fill tragjedia e tyre.
Vdekatarët e zakonshëm jetojnë në një botë tredimensionale dhe mund të kuptojnë vetëm një botë që ka gjerësi, gjatësi dhe lartësi. Kam kaq metra shtëpi, aq hektarë prona, kaq kate pallat, aq makina, mobilie, para në bankë, vilë në bregdet, portë të blinduar, miq në qeveri, dosje të mbyllura në prokurori, dyqane të dhëna me qira, përqindje në kazino, magazina të privatizuara, licenca të marra, të dhëna e të shitura, prona të njohura, të kthyera, të kompensuara e të tjera gjëra tokësore që maten me gjerësi, gjatësi dhe lartësi. Ndërsa kalorësit e ndriçuar rrojnë zakonisht në një tjetër dimension, që s’ka të bëjë gjëkund me këto, mjaftohen me titullin “njeri i kënduar”, ndaj është sikur t’u flasësh milingonave të dheut për fluturimin e shqipeve.
Vdekatarët e zakonshëm, kur nuk shohin më rrugëdalje, vendosin të largohen dhe e kanë kollaj, ndërrojnë vend. Ca ikin nga qyteti i tyre e shkojnë diku gjetkë, ca të tjerë ikin nga Shqipëria për në Amerikë, Itali, Australi a ku di unë tjetër. Ndërsa kalorësve të mendjes u mungon dimensioni gjeografik dhe, si të tillë, kur vendosin të ikin, ikin për fare dhe jo gjeografikisht. Bash këtë bëri edhe Klosi. Iku.
Top Channel