Gjirokastër, 350 të rinj marrin kartat e PS-së

28/04/2012 00:00

Fushata e anëtarësimeve në PS, organizuar nën slloganin re:fresh është
ndalur në qytetin e Gjirokastrës. 350 të rinj janë bërë pjesë e familjes
socialiste me dëshirën që edhe ata të kontribuojnë për një Rilindje
Shqiptare.

Erjon Veliaj, Sekretari për Rininë dhe Emigracionin në Partinë Socialiste, e ka nisur fjalën përshëndetëse duke lavdëruar modelin që la pas publicisti dhe aktivisti Ardian Klosi.

“Një njeri që nuk u kompromentua kurrë dhe një njeri që nuk i shiti idealet dhe parimet e veta kurrë. Një njeri që nuk u bë një analist pazarxhi i qeverisë së radhës dhe një njeri që kurrë nuk i lëshoi idealet e tij për një Shqipëri më të mirë. Ai quhej Ardian Klosi dhe do të doja që të gjithë bashkë të mbanim një minutë heshtje të çuar në këmbë”, tha Veliaj.

Erjon Veliaj duke iu referuar shembullit të jetës dhe aktivitetit të  publicisti Ardian Klosi, u shpreh se pyetja që të gjithë duhet t’i bëjmë vetes çfarë do të bëjmë për atdheun tonë.

“Në një nga shkrimet që ishte botuar nga Ardian Klosi, në një invervistë të fundit të dhënë Mustafa Nanos, një pyetje ishte çfarë është për ty atdheu? Përgjigja e tij ishte: atdheu janë rrugët e mia, është lagjja ime, janë fqinjët që banojnë me mua, janë ata që ndajnë qytetin tim”. Miq, çfarë do të bëjmë ne për atdheun tonë, është pyetja që secili prej nesh duhet t’i përgjigjemi të gjithë. Në qoftë se ne nuk kuptojmë që si anëtarë të Partisë Socialiste, Gjirokastra është atdheu ynë, rrugët e këtij qyteti është atdheu ynë, fushat e këtij qyteti janë atdheu ynë, bashkia është atdheu ynë, Universiteti i Gjirokastrës është atdheu ynë, gjuha që ne flasim, mënyra sesi në trajtojmë njëri-tjetrin, këto janë atdheu ynë”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB