Valentino Rossi zuri vendin e dytë në provat e lira të Cmimit të Madh të Spanjës në Moto GP duke i habitur të gjithë. Piloti italian i Ducati u tregua më i ngadaltë vetëm nga Dani Pedrosa i Hondës dhe “faji” për këtë rezultat të mirë ishte i shiut që pushtoi pistën e Jerez.
“Shpresoj që të bjerë shi deri në garën e Valencias”, theksoi Rossi duke iu referuar provës së fundit sezonale në Moto GP që do të zhvillohet në cirkuitin e Cheste në muajin nëntor.
Nëntë herë kampioni i botës nuk e kupton këtë transformim: “Nuk e kuptojmë se pse jemi më mirë në shi se sa në pistë të thatë. Në shi motori hyn më mirë në kthesë dhe frenoj më mirë. Është e çuditshme sepse të gjithë ne pilotët preferojmë pistë të thatë.”
“Nëse të dielën do të ketë sërish shi strategjitë do të bëhen të vështira”, shtoi Rossi.
Gara e Spanjës, e dyta e botërorit të Moto GP, do të zhvillohet të dielën në orën 14.00 dhe do të transmetohet live në Top Channel.
Top Channel