Parlamenti Europian i bën thirrje politikës shqiptare që të zgjedhë një president konsensual. Ndërkohë, eurodeputetët ritheksojnë se dialogu dhe bashkëpunimi mes palëve duhet të vazhdojë për reformat e rëndësishme, me qëllim që të ketë progres dhe rezultat konkret për 12 prioritetet e Bashkimit Europian.

Për zhvillimet më të fundit politike në Tiranë, Eduard Kukan u informua nga ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, ndërsa zëvendësi i tij Victor Bostinaru nga deputeti socialist Taulant Balla.

Por me përfaqësuesit e të dy palëve i vetmi që u takua ishte Libor Rucek. Me Eduard kukan, Viktor Bostinaru dhe Libor Rucek bisedoi gazetarja jonë në Bruksel, Arta Tozaj.

TCH: Z. Kukan, ministrja e Integrimit ju informoi për të rejat që prej vizitës së fundit, një muaj më parë. Cilat zhvillime tërhoqën më shumë vëmendjen tuaj?

Eduard Kukan: “Vëmendja më e lartë iu përkushtua progresit në reformën zgjedhore. U informuam se gjërat po ecin mirë dhe se është realiste pritshmëria se nga fundi i muajit, apo deri në muajin maj, do të bëhet e ditur arritja e kësaj marrëveshjeje, para zgjedhjeve presidenciale. Dialog, dialog, nevojitet dialog mes partive në ato çështje që janë në shqyrtim: reforma zgjedhore, votimet në Parlament, të gjitha këto çështje që janë të përfshira në ato 12 prioritete, pesë nga të cilat varen nga Parlamenti dhe të tjerat janë në përgjegjësinë e qeverisë.”

Victor Bostinaru: “Bëhet fjalë për detyrën që ka Parlamenti shqiptar për të gjetur një marrëveshje për procesin e reformës zgjedhore, gjë që nuk ka ndodhur ende edhe pse u premtua që do të përmbyllej në fund të prillit. Shqetësimi i dytë ka të bëjë me situatën për zgjedhjet presidenciale. Parlamenti Europian dhe institucionet europiane janë të mirëinformuara për faktin se në vitet e fundit Shqipëria nuk ka përjetuar vetëm ngërçe, por edhe kriza madhore politike. Prandaj mesazhi ynë është se do të jetë detyra e të dy blloqeve, Partisë Socialiste dhe mazhorancës, Partisë Demokratike, që të ulen sëbashku dhe të zgjedhin një President konsensual.”

Libor Roucek, Zv.President i S&D në PE: “Në të dy takimet, ne kemi theksuar se ajo çfarë ka munguar në të kaluarën është bashkëpunimi mes dy partive kryesore për çështjet kyçe që janë të rëndësishme për Shqipërinë, nëse vendi dëshiron të përparojë. Sepse tani mendoj se jemi në një periudhë kyçe, pasi do jetë reforma elektorale, zgjedhja e Presidentit, por përsa i takon anëtarësimit në BE, është e rëndësishme që gjatë muajve të ardhshëm, të përfundojë pjesa më e madhe e punës, në mënyrë të tillë që kur Komisioni Europian të prezantojë raportin në tetor, ky progres të reflektojë progresin real që Shqipëria ka arritur.”

Eduard Kukan:
“U përmend gjatë diskutimit se është e nevojshme që zgjedhjet presidenciale të përgatiten në një mënyrë që të respektohen nga të gjithë. Kjo pasi në Kushtetutën tuaj përmendet Presidenti konsensual, dhe Ministrja tha se ata janë të interesuar të kenë një dialog intensiv me opozitën për të përcaktuar një person i cili do të ishte gjerësisht i pranueshëm për tu zgjedhur në këtë post. Kjo ishte ajo që na u tha në takim. Mendoj se ata e kanë kuptuar se është me të vërtetë në interesin e vendit për të pasur një figurë me të vërtetë përfaqësuese”

TCH: Si e prisni procesin e votimit për Presidentin?

Eduard Kukan: “Unë mund vetëm të mbështes çfarë dëgjova, se gjithçka duhet përgatitur me të vërtetë shumë mirë dhe në një mënyrë që të gjitha kriteret dhe ligjet demokratike të përmbushen. Dhe pritja ime është se duhet të jenë zgjedhjet e para në Shqipëri që të mos kenë pasoja negative, siç ka qenë rasti në gati të gjitha zgjedhjet më parë.”

Victor Bostinaru:
“Është thelbësore të ketë një President që do të jetë i aftë të përfaqësojë unitetin e kombit dhe të vendit në një kohë sfidash. Dhe ne shpresojmë me të vërtetë që pasi të ketë ndodhur kjo, Shqipëria të mund të kapë dritën jeshile nga Komisoni Europian, për statusin kandidat, e më pas edhe për marrjen e një date për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Por me tensionet aktuale dhe me zhgënjime kaq të shumta, situata për momentin është kaq larg, dhe si zakonisht është populli shqiptar që paguan çmimin. Ne e dimë shumë mirë se Presidenti ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur, jo vetëm për funksionimin e pavarur të drejtësisë, por edhe për mënyrën se si punojnë shërbimet sekrete.

Dhe vetëm një President që fiton mbështetjen e të gjitha partive politike dhe të shoqërisë shqiptare, një President i besuar dhe i cili frymëzon mirëbesim dhe siguri, mund t’ja dalë ta kthejë Shqipërinë në trajektoren e saj europiane.”

Libor Roucek:
“Për zgjedhjen e Presidentit, është mirë që në një vend, pak rëndësi ka nëse bëhet fjalë për Shqipërinë, Gjermaninë apo çfarëdo vendi, Presidenti i Republikës të jetë dikush që qëndron mbi përditshmërinë e jetës politike. Idealja do të ishte dikush që politikisht është i pavarur, që të mos vinte nga asnjëra parti politike.

Ndaj po jap shembullin e Gjermanisë, sepse aty pati një konsensus mes partive kryesore për të zgjedhur zotin Gauck. Ky lloj kandidati do të ishte më mirë për Shqipërinë, në mënyrë që të jetë një kryetar shteti, i cili gëzon respektin e të gjitha partive kryesore, e sigurisht dhe të publikut më gjerë.

Një person i tillë, mendoj se do të ndikonte pozitivisht në të ardhmen. Ai do të qetësonte konfliktet potenciale mes partive politike kryesore, pavarësisht se kush është partia që ka pushtetin për momentin, apo kush do ta ketë në të ardhmen.”

TCH: Një ditë pas takimit të PPE-së, ku në lidhje me integrimin Kryeministri Berisha tha se opozita po e bën punën e saj, me t’u kthyer në Tiranë, në seancë plenare, ai dëshmoi një tjetër sjellje, duke përmendur 21 janarin. Si e gjykoni këtë sjellje kur kemi parasysh thirrjet tuaja të përsëritura për dialog konstruktiv?

Eduard Kukan: “Unë nuk e kam parë vetë këtë sjellje në Parlamentin Shqiptar. Por ju ishit atje gjatë takimit të PPEsë, kur ai tha se është filozofia e tij politike që të respektojë opozitën. Ju e patë edhe në takimin e PPEsë, dhe unë e përmenda edhe në takimin me ministren se ne po presim rezultatet konkrete nga puna në 12 prioritetet kyçe. Ne po i inkurajojmë, dhe informatat që na vijnë tregojnë se dialogu po vazhdon.

Dialogu, të cilin ne e kemi kërkuar, është i rëndësishëm dhe nëse informohemi se dialogu po vijon, atëherë ne presim rezultate, dhe gjithçka do të matet nga gjërat konkrete që do të mund të arrihen. Ky do të jetë vlerësimi kryesor që do të bëjmë. Ju po më pyesni për deklaratën e Kryeministrit Berisha, gjë që për mua është thjeshtë e vështirë që ta komentoj.”

Victor Bostinaru: “Unë me disa kolegë kemi thënë se deri më sot, nuk ka asnjë vendim përfundimtar të çdo lloji për ngjarjet tragjike ku katër persona u vranë, në mos u ekzekutuan do të thoja unë. Ato ngjarje tragjike përfaqësojnë ende një pikëpyetje madhore për funksionimin e drejtësisë, për pavarësinë e gjyqësorit apo për mënyrën se si dikush, i cili është përgjegjës për një krim të tillë, mbetet ende i paburgosur dhe i pandëshkuar.

Arrestimi është vetëm hapi i parë. Por thelbësore është pasja e një vendimi gjyqësor, ndërsa sot jemi kaq larg kësaj pike. Prandaj është për të ardhur keq dhe e papranueshme, sepse Kryeministri është politikisht përgjegjës, pasi ishte Kryeministër në detyrë në atë moment, dhe është detyra e tij që gjyqësori të jetë krejtësisht i pavarur për ta hetuar ngjarjen si dhe që gjyqësori të jetë i pavarur për të dhënë vendime kundër personave që janë gjetur fajtorë.

Deri më sot kjo nuk ka ndodhur. Dhe së dyti, në mes të një negociate, kur gjithkush në Europë ka hedhur sytë nga Tirana për të parë se palët janë ulur përfundimisht sëbashku dhe po përpiqen të negociojnë dhe ta bëjnë të shpërthejë ky moment, në mos paqeje, të paktën moment marrëveshjesh dhe pune për të përmbushur detyrimet e tyre, është e rrezikshme, dhe e përsëris, e papranueshme. Nuk është europiane.”

TCH:
A ju informoi z. Balla për mënyrën se si u votua në Kuvend për një anëtar të KLD-së ?

Victor Bostinaru: “Ai na informoi me detaje për mënyrën se si Parlamenti u përfshi në një situatë të re të tensionuar, dhe kjo ndodh sepse kur nuk lejohet vota e fshehtë, kur nuk pranohen nga mazhoranca garancitë për një votim të fshehtë, atëherë si mund të kemi besim dhe si mund t’i besojmë mirëfunksionimit të institucioneve demokratike? Prandaj ne jemi shumë të shqetësuar për faktin se ato hapa nuk u plotësuan deri në fund dhe se gadishmëria e dy blloqeve për të punuar me sinqeritet me njëri tjetrin kthehet ndonjëherë gati në një murtajë që vjen nga ana e Partisë Demokratike.”

TCH: A mendoni se në Shqipëri, mund të përdorim të njëjtën mënyrë votimi për Presidentin, njësoj si ai për KLD-në, me elektronikë?

Libor Roucek: “Mendoj se nuk më takon mua të vendos sesi duhet të bëhet votimi ndaj personaliteteve, por ai duhet të jetë një votim i fshehtë. E nëse Shqipëria zgjedh versionin me elektronikë, duhet të garantohet se është e pamundur që të identifikohet sesi kanë votuar anëtarët e Parlamentit, apo cilat ishin preferencat e tyre personale.”

TCH: A paraqet shqetësim mënyra se si u votua në Kuvend për anëtarin e KLD-së, veprim që përkon me 3 nga 12 prioritetet?

Eduard Kukan: “Kryeminstri Berisha dhe Ministrja Bregu na kanë thënë, në mënyrë të përsëritur, se situata në Kuvend është normale, se opozita po merr pjesë plotësisht në votime dhe se ka dialog me partitë në qeveri për të zgjidhur çështjet.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA