Barcelona: Tito Vilanova trajneri i ri

27/04/2012 00:00

“Arsyeja e largimit është e thjeshtë: katër vite në të njëjtin vend të lodhin. Kjo është arsyeja thelbësore sepse kërkesa tek Barcelona është shumë e lartë dhe duhet të jesh shumë i fortë ta përballosh.”

Këto ishin fjalët e Pep Guardiolës në konferencën e shtypit ku lajmëroi largimin e tij nga stoli i Barcelonës pas katër vitesh të suksesshme. Zëvendësi i tij do të jetë Tito Vilanova, krahu i djathtë i teknikut katalanas që kur mori drejtimin e Barcelonës në vitin 2008.

“Është zgjedhja më e mirë. Është një person që më ka ndihmuar shumë, ka aftësi dhe idetë që kemi hedhur në fushë gjatë këtyre viteve kanë qenë edhe të tijat”, theksoi Guardiola kur u pyet për zgjedhjen e Vilanovës.

“Jam munduar që të bëj më të mirën e mundshme dhe jam trajneri me më shumë ndeshje në drejtimin e Barcelonës në 100 vite histori të klubit. Zakonisht trajnerët zgjasin më pak në Katalonjë”, shtoi Guardiola.

Guardiola do të lërë klubin katalanas pas sezonit të parë në të cilin ai nuk arrin të fitojë një prej trofeve të mëdhenj, titull (me përjashtim të ndonjë surprize në kampionat) apo Champions, në katër vitet e drejtimit të klubit.

Në total, ai ka fituar 13 tituj nga 18 të mundshmit, midis të cilëve edhe tre kampionate dhe dy Champions League.

Për trajnerin më të suksesshëm në historinë e Barçës, së bashku me Johan Cruyff (katër kampionate dhe një Champions), pistat e mundshme të së ardhmes janë dy Milan, Inter apo Chelsea, skuadra që janë të gjitha në kërkim të trajnerëve.

Top Channel