
Kreu i opozitës Edi Rama reagoi sot mbi akuzat që lëshoi kundër qeverisë
dhe personalisht kryeministrit të vendit dhe Policisë së Shtetit,
ish-kreu i policise ne qarkun e Dibres, Shemsi Premçi.
Rama tha se te gjithe shqiptaret duhet te mesojne se deri ku eshte zhytur qeveria ne krim dhe korrupsion.
“Dorëheqja dhe qëndrimi i djeshëm publik, i Shemsi Premçit në lidhje me sundimin mafioz në fushën e burimeve minerare të vendit, janë një kambanë e fuqishme alarmi për ekzistencën e shpellave të krimit në Bulqizë.
Është një alarm që duhet ta dëgjojë Prokurorja e Përgjithshme, e cila prej kohësh heton mbi një ministër që në thyerje të Kushtetutës e të ligjeve të vendit ka anashkaluar parlamentin dhe i ka shtruar rrugën gllabëruesve të pasurisë kombëtare, me pasoja tragjedi pas tragjedish në familjet e zakonshme të minatorëve të Bulqizës. Është një alarm që duhet ta dëgjojë e gjithë shoqëria shqiptare që po tërhiqet zvarrë në rrugën e rrënimit të mëtejshëm nga pushteti i padrejtësisë dhe korrupsionit të pandalshëm.Por, është edhe një alarm për miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, për të kuptuar më mirë se hendeku mes asaj çka shkruhet nëpër ligje përmes atyre që quhen reforma dhe çfarë ndodh në realitetin e përditshëm të shqiptarëve po shkon duke u zgjeruar frikshëm dita – ditës në kurriz dhe në dëm të shqiptarëve”, tha Rama.
Premçi: Berisha i inkriminuar
Ish-drejtori i Policise së Qarkut Diber, Shemsi Premçi akuzoi kryeministrin e vendit, se i hap rrugën krimit. Sipas Premçit, ditën jepen leksione për demokraci dhe natën i hapet rrugë tiranisë së zezë së mafias.
“Deri vonë kam besuar, se Kryeministri Sali Berisha thënien, se ‘mafia nuk ka dhe, por ka vetëm shpellat e krimit’, e ka mësuar nga librat, por fatkeqësisht i gjendur përballë shpellave të mafias në Bulqizë, përballë heshtjes së strukturave të larta të shtetit, deri të kryeministri i Shqipërisë, ku unë kam denoncuar nga thellësia e nën 1400 metrave nën tokë, këto shpella të mafias, qëkur isha Drejtor i Forcave Speciale, por këto
kuptova të vërtetën e tmerrshme, se njohja e Kryeministrit për mafian, vjen nga brenda shpellave të saj dhe jo nga librat. Jam demokrat dhe do të jem i tillë derisa të kem frymën, prandaj po i bëj braktis në mjerimin e tyre, ata që popullit i mbajnë leksione për demokraci dhe ligj dhe gjithë natës i hapin mafias rrugët e tiranisë së zezë për popullin e varfër”, tha Premçi.
Top Channel