Sikurse edhe pesë vjet më parë, ish-kryeministri Fatos Nano ka ngjitur
shkallët e selisë rozë, për të marrë mbështetjen e Partisë, të cilën
ai themeloi në ambicjen, që ka shprehur zoti Nano, në garën e Presidentit të Republikës.

Takimi Rama-Nano, ku merrte pjesë edhe kryetari grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi ka zgjatur dy orë, por serish, edhe pas pese vitesh duket se asgje nuk ka ndryshuar.
 
Fatos Nano duke u prononcuar pas takimit la të kuptohet se nga takimi me Edi Ramën, sikurse edhe nga takimi me kreun e LSI-së Ilir Meta ka dalë pa marrë ndonjë premtim konkret.

“Eshtë një konsultim i dobishëm. Unë vlerësoj jo vetëm mirëkuptimin në zhvillim edhe me Partine Socialiste, siç konstatova edhe me zotin Meta, si drejtues i LSI-se dhe vlerësoj sidomos faktin që me një proces që do të vazhdojë, është e dobishme të vlerësohet roli i pazëvendësueshëm i PS, si forca kryesore e opozitës, në përballimin pozitiv të detyrave të integrimit dhe të përmirësimit të klimes politike në Shqipëri”, tha Nano.

Kreu PS, Edi Rama nuk ka preferuar të prononcohet pas takimit, por zyra e shtypit e selisë rozë nëpërmjet një deklarate për median e vë theksin më shumë tek procesi, se sa tek emri kandidatit.

“Socialistët do të jenë të angazhuar për t’i dhënë Republikës sonë një President me votat e më shumë se një pale, si edhe vetë Shqipërisë një argument bindës në mbështetje të kërkesës për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian”, thuhet në deklaratë.

Në vijim të deklaratës PS-ja thotë se “për këtë forcë politike, është shumë e qartë se nga një proces sa më gjithëpërfshirës duhet të shkohet drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës. Prandaj edhe Partia Socialiste do të kontribuojë për këtë proces të domosdoshëm duke vënë mbi gjithçka interesin e vendit”.

Deklarata zyrtare e Partise Socialiste le te kuptohet, se socialistet ende nuk kane vendosur ende te angazhohen per emra konkrete ne kete proces dhe ne rastin konkret, as per emrin e Fatos Nanos. “Partia Socialiste,- vijon deklarata,- do të aktivizohet së shpejti publikisht përmes kryetarit të saj Edi Rama dhe drejtuesve të tjerë të mandatuar nga forumi më i lartë i PS, për të komunikuar drejtpërdrejt me palët e tjera parlamentare pa dallim”.

Pjesa e fundit e deklaratës le të kuptohet se kreu opozitës Rama shume shpejt do të nise te takohet me kryetarët e partive parlamentare edhe brenda mazhorancës, çka nenkupton te sigurt nje takim me Ilir Metën, i pari mes tyre, pas rreth kater vitesh.

Top Channel