Stano: Rezultate për 12 prioritetet

25/04/2012 19:50

Komisioneri europian për zgjerimin, Stefan Fule, pritet të vizitojë Tiranën javën që vjen, më 3 maj, ku përveç takimeve me krerët më të lartë të insitucioneve dhe me aktorët kryesorë politikë në vend, është parashikuar të mbajë edhe një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërkohë, në Bruksel, një ditë pas deklaratës së ministres së Integrimit, se realizimi i 12 prioriteteve nuk mbaron as në shtator, Komisioni Evropian ka përkujtuar se vendi duhet të dëshmojë rezultate konkrete dhe të mjaftueshme në të gjitha fushat, në mënyrë që Shqipëria të mund të përfitojë stastusin kandidat apo çeljen e negociatave për anëtarësim.

Në një intervistë për TCH, Peter Stano, zëdhënësi i komisionerit për Zgjerim Stefan Fule, përsërit se për të ecur përpara në rrugën e integrimit, vendi duhet të prodhojë një masë kritike rezultatesh, jo vetëm në reformat politike, por në të 12 prioritetet kyçe të përcaktuara nga BE.

TCH: Ministrja e Integrimit deklaroi të martën në Bruksel se 12 kriteret nuk mund të përmbushen deri në shtator pasi disa prej tyre kërkojnë më shumë kohë. A është e mundur që Shqipërisë t’i rekomandohet statusi kandidat në vjeshtë, vetëm me përmbushjen e kritereve politike?

Peter Stano: Në proçesin e integrimit të çdo vendi aspirant, afatet kohore janë në duart e vetë vendit. Shqipëria ka një pasqyrë të qartë të asaj që nevojitet për t’u bërë dhe këto janë 12 prioritetet kyçe, të cilat janë përcaktuar si parakusht për nisjen e negociatave për anëtarësim.

I takon Shqipërisë të dëshmojë performancën e saj, pra shpejtësinë e reformave apo shpejtësinë e dhënies së rezultateve për angazhimet në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe. Komisioni po vëzhgon, po ndjek, si dhe po vlerëson progresin e arritur. Dhe duke u bazuar në progresin e arritur, ne do të vendosim nëse vendi ka përmbushur mjaftueshëm kriteret apo detyrimet, para se të lëvizet drejt hapave të tjerë në procesin e integrimit.

TCH: Por mesa duket, qeveria nuk synon më çeljen e negociatave për anëtarsim, por vetëm statusin kandidat për këtë vit. A është i arritshëm ky qëllim vetëm me plotësimin e disa kritereve dhe cilat do të ishin ato?

Peter Stano:
I takon secilit vend që t’i zgjedhë vetë ambiciet, apo idetë se si ky vend kërkon të përparojë apo të veprojë. Në çdo fazë të proçesit, Komisioni do të vlerësojë progresin e bërë, përmbushjen e detyrimeve, kushteve, në këtë rast të prioriteteve kyçe, dhe vetëm më pas ne do të vendosim, apo do t’i rekomandojmë vendeve anëtare se çfarë duhet bërë që vendi të ecë përpara në rrugën e integrimit.

Ju keni 12 prioritete kyçe dhe ne si Komision Europian presim që vendi të punojë për t’i përmbushur këto 12 prioritete kyçe. Nuk po përcaktojmë afate kohore, por themi se është e rëndësishme që të arrihet përparim në reforma, pasi vetëm duke u bazuar në këtë progres ju mund të lëvizni përpara në rrugën europiane. Është në duart tuaja dhe duhet të keni parasysh se reformat nuk bëhen për të kënaqur Komisionin Europian, por për t’i sjellë përfitime vetë qytetarëve tuaj dhe për ta afruar vendin edhe më shumë me Bashkimin Europian, një qëllim dhe ambicie e pëgjithshme besoj e qeverisë shqiptare apo e popullit shqiptar.

TCH: Me masë kritike rezultatesh, Komisioni ka parasysh vetëm një pjesë të kritereve, si reforma zgjedhore apo parlamentare?

Peter Stano: Përgjigja është shumë e qartë: Ju keni 12 prioritete kyçe dhe rezultatet duhet të jepen në të gjitha këto 12 prioritete kyçe. I takon Shqipërisë që të çojë përpara të gjitha veprimet e nevojshme, për të arritur një masë kritike rezultatesh në të gjitha fushat.

TCH: Komisioneri Stefan Fule do të vizitojë Shqipërinë javën që vjen, më 3 Maj. Cili është qëllimi i vizitës dhe me kë pritet të zhvillojë takime?

Peter Stano:
Qëllimi i vizitës është që të ruhet dialogu, të ketë kontakte të rregullta me të gjitha palët e interesuara dhe aktorët kyçë në vend që kanë diçka për të thënë mbi proçesin e integrimit dhe reformat europiane, që të shkëmbejë mendimet si dhe të marrë të reja mbi situatën në vend, apo edhe të tregojë se si po perceptohen nga Komisioni përpjekjet e vendit. Pra, ky është qëllimi i vizitës: të marrë të rejat më të fundit, të shkëmbejë mendime dhe të takojë të gjithë aktorët e rëndësishëm në Shqipëri për procesin e integrimit.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA