Në finale shkon Bajern, lot në Madrid

25/04/2012 00:00

Manuel Neuer dhe Bastian Shvajshtajger i prishin ëndrrën e Jose Mourinhos për të fituar Champions me 3 skuadra të ndryshme. Bajerni fitoi duelin e 11 metërshave me Realin falë 2 pritjeve të Neuer dhe 11-metërshit vendimtar të Schveinsteiger.

Rezultati 2-1 në 90 minuta në Santiago Bernabeu nuk e ndihmoi Real Madridin të shkojë në finalen e Ligës së Kampioneve. Madrilenët e Mourinhos u eleminuan pasi nuk u treguan të saktë nga pika e 11-metërshit pas 120 minutave lojë. Përfundoi në Madrid ëndrra për të fituar këtë vit 2 trofetë aq shumë të dëshiruar nga ana e Realit.

Madrilenët e nisën vrullshëm ndeshjes dhe presioni i tyre solli dhe 2 gola me autor Cristiano Ronaldon. Të parin portugezi e shënoi me 11-metërsh, ndërsa të dytin pas një asisti të marrë nga gjermani Ozil. Reali luajti vetëm 25 minuta lojë dhe më pas u kthye në gjysëmfushën e vet në mbrojtje të rezultatit.

Goli i Robben me 11-metërsh riktheu ekuilibrin dhe i dha më shumë zemër bavarezëve të cilët dominuan, ishin shumë pranë golit të dytë, por Gomez nuk u tregua i qartë para portës kundërshtare.   

Pjesa e dytë ishte më e mbyllur në aspektin taktik, ndërkohë që në rastin e vetëm shtatlarti Gomez nuk arriti të mbyllë ndeshjen. Edhe në kohën shtesë rezultati nuk ndryshoi, pasi të dyja skuadrat të lodhura preferuan të mos rrezikonin dhe t’ia besonin kualifikimin 2 portierëve.

Ronaldo, Kaka dhe Sergio Ramos gabuan nga pika e 11-metërshit ndërkohë që Schveinsteiger në fund i dha kualifikimin Bajernit që finalen përballë Chelseat do ta luajë pikërisht në shtëpinë e vet, më 19 maj në “Allianz Arena”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA