“E përgëzoj Chelsea-n për lojën e mirë në mbrojtje. I provuam të gjitha, por dështuam. Nuk ishim të saktë në momentet kyçe të ndeshjes dhe e paguam shtrenjtë. Tani të ringrihemi dhe të mendojmë për sezonin e ardhshëm.”
Këto janë deklaratat e trajnerit të Barcelonës, Pep Guardiola, pas barazimit 2-2 ndaj Chelsea, rezultat që eliminoi katalanasit nga Liga e Kampioneve një hap larg finales së madhe të Mynihut.
Tekniku ia vuri fajin rasteve të shumta të shpërdoruara nga ekipi i tij: “Nuk e di sa raste shpërdoruam, nuk ishte e thënë.”
Për Messin, yllin që nuk shkëlqeu në asnjë nga ndeshjet ndaj londinezëve dhe për më tepër që humbi 11-metërshin që do të çonte rezultatin në 3-1, Guardiola theksoi: “E falenderoj për ato që ka bërë për ekipin. Ai na ndihmon që të jemi më të mirë. Admirimi im për të nuk do të shuhet kurrë. E di që do të kalojë ditë të vështira, por ky është futbolli: një herë fiton ti, një herë kundërshtari.”
Top Channel