
Në prag të çeljes së sezonit turistik dhe në vijim të tryezave të
programit “Për një Rilindje Shqiptare”, PS ka organizuar në qytetin e
Durrësit një tryezë me grupet e interesit për turizmin.
Kreu opozitës Edi Rama u shpreh se në Durrës janë hedhur faktikisht shumë kapitale dhe janë shpenzuar shumë energji për zhvillimin në emër të turizmit. Por si kudo edhe këtu tha Rama , në këtë fushë kapitalet financiare dhe energjitë e derdhura janë përgjithësisht të kanalizuara në rrugën e spontanitetit e ideve të guximshme apo dëshirave ambicioze të individëve falë mbështetjes sporadike të drejtuesve të njësive vendore.
“Eshtë shumë e rëndësishme që të mos e konceptojmë turizmin në Shqipëri, si një turizëm të kufizuar nga kufiri i sotëm zyrtar mes shtetit shqiptar dhe shtetit të Kosovës, por si një turizëm të integruar pa e marrë në konsideratë këtë kufi zyrtar. Jo vetëm për turizmin etnik, pra për shqiptarët që jetojnë në trevat rreth e rrotull, por për turistë të huaj, që përballë një informacioni të mirëorganizuar, mbështetur me një inventar shumë rigoroz të të gjithë këtyre pasurive, do të ishin shumë herë më tepër të tunduar ta ndërmarrenin udhëtimin drejt Shqipërisë”, tha Rama.
Zoti Rama sikurse edhe deputetë të tjerë të PS nga qytetet bregdetare ka ngritur shqetësimin ndaj vijueshmërisë së moratoriumit për mjetet lundruese.
“Sot ne flasim për turizëm të detit dhe të rërës, më saktë do të thosha për turizëm të bregdetit dhe disponojmë të vetmin segment të bregdetit në Mesdhe të bllokuar për mjetet lundruese. Një absurditet i mbështetur mbi një arsye që s’është arsye për gjoja luftën kundër trafiqeve sepse është njësoj si të thuash që në mënyrë që të mos kemi krime më mirë po i fusim të gjithë njerëzit në burg dhe po i izolojmë nga njëri tjetri, kështu që garantojmë kriminalitet zero në të gjithë territorin”, tha Rama.
Top Channel